Lajme Shqip Thursday, 31 March 2011 16:37

Kukës – Në një ceremoni të organizuar nga bashkia e Kukësit, iu dha titulli qytetar nderi njërit prej njerëzve të parë që nisën ndërtimin e Kukësit të ri, rreth gjysmë shekulli më parë, dhe sot ende vazhdon të punojë në gjelbërimin me lule të mjediseve të qytetit.

Mehmet Lezaj, 84 vjeç, u cilësua nga kryetari i bashkisë, Hasan Halilaj, si “një prej punonjësve të parë të ndërtimit të qytetit tonë”, nderimin e të cilit e konsideroi dhe si një “nderim edhe për qindra punëtorët e specialistët që punuan në ndërtimin e qytetit tonë”.

Mehmet Lezaj, solli kujtime nga fillimi i punës për ndërtimin e qytetit. “Ndërtimi i hidrocentralit të Fierzës solli disa ndryshime në qytetin tonë. Solli përmbytjen e qytetit të vjetër me 4000 banorë, por solli edhe ndërtimin e qytetit të ri me 26 mijë banorë. Po ashtu solli edhe 20 fshatra të përmbytur prej të cilave 12 u përmbytën pjesërisht dhe 8 të tjerë plotësisht”, ka thënë Lezaj

“Për ndërtimin e qytetit e të fshatrave të përmbytur u desh një armatë e madhe pune. U deshën shumë punëtorë, specialistë, inxhinierë e teknikë. Një prej tyre isha edhe unë si shef i seksionit komunal, si drejtues i NRSH-së, si teknik dhe topograf,” tha 84-vjeçari, Mehmet Lezaj.