Lajme Shqip Saturday, 16 April 2011 14:58

Kukës – Prej 11 vjetësh me radhë më 16 prill kosovarët marshojnë drejt Kukësit për të kujtuar eksodin e madh të 12 vjetëve më parë, kur nën terrorin e forcave paramilitare e ushtarke serbe u detyruan të lenë vatrat e tyre e të vërshojnë drejt dheut mëmë, Shqipërisë. Kukësit ishte porta e parë, streha e parë.

Kanë kaluar 12 vjet që atëherë, por ato ditë pranvere të vitit 1999 me shi të pandërprerë nuk harrohen.

Një shi që paralajmëronte një gjenocid që Evropa s’e kishte përjetuar kurrë më parë pas Luftës së Dytë Botërore. Një gjenocid që nuk e parandaloi as aksioni i NATO-s, e cila rreth orës 19.50 minuta të 24 marsit të vitit 1999 nisi bombardimet ajrore mbi forcat ushtarake serbe.

Por vetëm 24 orë nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s makina ushtarake e paramilitare serbe nisi dëbimin me dhunë të kosovarëve nga vatrat e tyre. Fillimisht nisi në fshatin Goden. 24 banorë të tij u futën në Shqipëri në fshatin Dobrunë të rrethit të Hasit, duke sjellë lajmin e kobshëm të vrasjes në oborrin e shtëpisë të 22 banorëve të këtij fshati.

Ndërsa më 27 mars rreth orës 13.00 nisi eksodi i madh. 84 banorë nga Krusha e madhe e Zymi i Prizrenit kaluan doganën e Morinit. Pas tyre, vargu ishte i madh aq sa brenda 10 orëve kufirin e kaluan mbi 10 mijë kosovarë të tmerruar nga ato që kishin parë gjatë rrugës nga Prizreni në Morin. Një rrugë e mbushur me kufoma e vrasje të panumërta.

Një ditë më pas rinisi eksodi edhe nga zonat e tjera si Peja, Rahoveci, Mitrovica e Prishtina.  Ndërsa në spitalin e qytetit kanë mbërritur 40 persona të sëmurë e të plagosur nga Krusha e Madhe e Suhareka, të plagosur me armë zjarri.

Një histori që vazhdoi kështu për rreth dy muaj. Deri në fillim të qershorit. Ndërsa për menaxhimin e situatës  në krye të shtabit të emergjencës pranë prefekturës arriti atëhere në Kukës zv/kryeministri Ilir Meta.

Qytetin e Kukësit, me vetëm 25 mijë banorë, që u kthye në një lloj qendre ndërkombëtare pritjeje për të deportuarit, e vizituan përfaqësuesit me të lartë të politikës ndërkombëtare. E nis vizitën  Roza Jervelino, ministre e Brendshme e Italisë, me 30 mars. Pas saj, vijuan vizitat e ambasadorit Dan Everts, Emma Bonino, ambasadori i UNICEF-it, Robert Laurent, kryeministrit italian Masimo D’alema, Komisioneres së Lartë për Refugjatë, Sadako Ogata, etj. Kukësin e vizitoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së. Jo pak prej tyre mbetën të mahnitur nga fakti se si një qytet i vogël arriti të përballojë fluksin e të dëbuarve me dhunë, që arriti deri në 416 mijë persona.

Vetëm më 31 mars nga dogana e Morinit hynë brenda ditës në Kukës 31 mijë të ardhur nga Kosova e të dëbuar me dhunë nga trojet e tyre. Ishte ky fluks i paparë që çuditi edhe politikanë evropianë e që ndikoi që një vit më pas Kukësi të propozohej për çmimin Nobël të paqes.

Dhe kosovarët sërish u rikthyen menjëherë në vatrat e tyre. Por nuk harruan pranverën e vitit 1999. Çdo vit më 16 prill vijnë në Kukës e kujtojnë ato ditë të përgjakura pranvere. Çdo vit vijnë me këngë e largohen me valle. Vizitojnë familjet ku qëndruan për dy muaj, rrugët e sheshin kryesor të qytetit, pranë të cilit derdhën lotët e hidhërimit. Aty ku sot është ngritur memoriali i Mirënjohjes ishte ngritur çadra e madhe si pritësja e parë e  kosovarëve të dëbuar  me dhunë.

Kryetari i bashkisë, Hasan Halilaj, pret një grup përfaqësuesish të kosovarëve. U uron mirëseardhjen dhe nis një bisedë të ngrohtë me ta. Kujtojnë eksodin, vuajtjet, por edhe punën që duhet të bëjmë ne shqiptarët tani e mbrapa. “Të fitojmë kohën e humbur”, u drejtohet kryetari Halilaj miqve nga Kosova.

Këtë  pranverë më të shumtët kanë ardhur nga Mitrovica. “Unë nuk kam munguar asnjë vit pa ardhur. Kështu e vendosa edhe këtë vit. Edhe vitin tjetër do të vij. Do të vij sa të kem këmbë”, thotë Nazmi Rama  nga Mitrovica. “Vijmë për të mos harruar vuajtjet tona. Sjellim edhe fëmijet tanë, bile edhe më të vegjëlit që nuk mbajnë mend e nuk dinë se çfarë kemi përjetuar ne. Por vijmë edhe për të respektuar Kukësin, që na ka mbajtur për më shumë se dy muaj”,- thotë Nazmiu. Dhe kujton 12 vite më parë. Kam qenë në Kukës, ku kam ndenjur 5 javë.

Këngët e vallet vazhdojnë për më shumë se dy orë në sheshin e qytetit mikpritës. Këngëtarë kosovarë e kuksianë së bashku korrin duartrokitjet e banorëve.

Festa vazhdon deri në orët e mbasdites. Vetë kosovarët thonë: “vijmë për të takuar vëllezërit tanë, që në ato ditë të vështira na ngushëlluan e na mirëpritën, edhe pse ne ishim shumë, ishim me mijëra. Ndaj nuk e harrojmë pranverën e vitit 1999”.