Lajme Shqip Wednesday, 11 April 2012 18:15

Kukës – Evidentimi i konflikteve dhe pjesëmarrja e komunitetit në zgjidhjen e shpejtë të tyre mundëson minimizimin e rrezikut të zgjerimit të fenomenit të gjakmarrjes, një dukuri që edhe pse në rënie në qarkun e Kukësit është ende e pranishme.

Burime zyrtare të drejtorisë së policisë së qarkut të Kukësit bëjnë të ditur se “vetëm gjatë 3 muajve të parë të këtij viti janë evidentuar 260 konflikte, prej të cilave janë zgjidhur 256 prej tyre”.

“Në këtë drejtim po punohet në vazhdimësi me qëllim që konfliktet të mos shkojnë drejt acarimit të mëtejshëm, por drejt zgjidhjes”, pohojnë burime zyrtare të policisë.

Këtë e tregon edhe fakti që vitin e kaluar në qarkun e Kukësit nga 1292 konflikte të evidentuara janë zgjidhur 1226 prej tyre, duke ndihmuar në minimizimin e rrezikut të rritjes së rasteve të gjakmarrjes.

Ndjekja në vazhdimësi e konflikteve ka evidentuar faktin se shkaku kryesor i konflikteve, ose rreth 70 për qind të konflikteve të lindura, e zë problemi i pronësisë, që ende nuk është zgjidhur dhe në jo pak raste sjell konflikte mjaft të rrezikshme.

Ndërsa puna në vazhdimësi kundër konflikteve që lindin ka bërë që gjatë viteve të fundit në qarkun e Kukësit të mos regjistrohet asnjë rast i ri gjakmarrjeje. Pavarësisht kësaj, fenomeni është ende i pranishëm, gjë që kërkon që ai të mos neglizhohet. Kështu në shkallë qarku janë të ngujuar 10 familje në rrethin e Tropojës dhe 7 familje në rrethin e Kukësit, ndërsa të tilla nuk ka vetëm në rrethin e Hasit.