Lajme Shqip Saturday, 12 November 2011 10:40

Kukës – Afrimi i stinës së reshjeve  ka sjellë shtimin e kontrollit të rezervuareve pas një sezoni ujitës efikas në qarkun e Kukësit. Kjo edhe për faktin se një pjesë e mirë e këtyre rezervuareve janë mjaft të amortizuar që nga periudha e ndërtimit në vitet ’60.

Qarku i Kukësit ka  në funksionim 38 rezervuare gjithsej, prej të cilëve 24 në rrethin e Hasit, 8 në rrethin e Tropojës  dhe 6 në rrethin e Kukësit. Ndërsa lartësia e digave të tyre  varion nga 16 – 36 metra dhe kapaciteti ujembajtës varion nga  300 mijë metër kub ujë deri në 1,7 milion metër kub ujë.

“Gjatë inspektimit të kryer gjatë muajit të fundit  janë konstatuar probleme të ndjeshme  kryesisht  në ujëlëshuesit, shkarkuesit, filtrime në skarpatet e jashtme të rezervuareve deri edhe në ulje të nivelit të digave”, bëri të ditur drejtori rajonal i bordit të kullimit, Bujar Shehu.

Më problematike e që kërkojnë ndërhyrje të shpejtë  janë rezervuaret e Tropojës së vjetër,  Golaj 1 dhe Vranisht 2  në rrethin e Hasit dhe rezervuari i Shishtavecit në rrethin e Kukësit. “Nga  specialistët e bordit të kullimit janë marrë masat për përballimin e emergjencës dimërore, por duhet punuar edhe për përgatitjen për sezonin e ardhshëm të ujitjes”, thotë Shehu.

Ndërkohë, nga specialistët pas vërejtjes së mangësive, është kërkuar mbajtja e sasisë së ujrave  nën një të tretën  e nivelit, për të cilën është ngritur edhe  njësia e drejtimit teknik  qe mban nën monitorim të vazhdueshëm nivelin e sasisë së ujrave të rezervuareve më problematike. Nderkohe, vënia në  përdorim e këtyre veprave ujitëse nga shoqatat  e ujitjes ka mundësuar  rritjen e ndjeshme të efektivitetit të përdorimit të tyre e njëherësh ka mundësuar  parandalimin e  dëmtimit të mëtejshëm.

Për mbajtjen në përdorim të rezervuareve cdo vit kryhen investime të konsiderueshme. Kështu, gjatë këtij viti  me fonde nga buxheti i shtetit është ndërhyrë  në rezervuarin e Llakajt e të Qarrit në rrethin e Hasit. Ndërhyrje të tilla kanë bërë që të gjitha veprat ujitëse të jenë cdo vit në shërbim të fermerëve.