Lajme Shqip Monday, 05 December 2011 16:00

Kukës – Në 99 vjetorin e krijimit të tij, shërbimi postar, i cili ka të njëjtën moshë me Pavarësinë e Shqipërisë, çdo ditë e më tepër ka zgjeruar aktivitetin e tij deri në zonat më të thella malore, ku krahas 77 shërbimeve postare, në çdo zyrë postare është instaluar interneti dhe çdo familje, pavarësisht largësisë, të mund të komunikojë me të afërmit jashtë vendit.

“Shërbimi postar tani shtrihet deri në zonat më të thella, me 77 lloje të ndryshme shërbimesh”,- thotë drejtori i filialit të Postës Shqiptare në rrethin e Kukësit,Tasim Cengu, ku ndërkohë punonjësit e këtij shërbimi  festojnë sot 99 vjetorin e ngritjes së shërbimit postar.

Shërbimi postar edhe në zonën verilindore ka ardhur nga viti në vit duke zgjeruar shërbimet e tij ndaj qytetarëve.  “Ndonëse me mjaft mangësi, shërbimi postar erdhi duke u zgjeruar edhe gjatë 45 viteve të sundimit diktatorial, ndërsa shënoi një hap cilësor me ardhjen e demokracisë, kur u përshpejtua ky shërbim dhe u zgjeruan llojet e tij”,- thotë Cengu.

Ai  tregon se tani shërbimi postar është përshpejtuar. Mjafton të përmendim faktin se çdo shërbim kryhet brenda dy ditëve, nga më shumë se një javë që ishte më parë.

Aktualisht, në qarkun e Kukësit  funksionojnë 30  zyra postare  të shtrira  deri në zonat më të thella. “Përmes këtyre zyrave kryhen në vazhdimësi 77 lloje shërbimesh të ndryshme si; shërbime bankare, shërbime  financiare, shërbime postare etj, ndërkohë që mbi  60 për qind e pensionistëve, falë këtij shërbimi e marrin në shtëpi pensionin mujor”,- thotë Cengu.

Krahas shërbimit të ofruar, për periudhën 11 mujore, të ardhurat janë realizuar në masën 101 për qind, shpenzimet janë ulur me 200 mijë lekë, ndërsa  fitimi është tejkaluar me 456 mijë lekë,- thotë Cengu.

Ndërsa për përmirësimin e shërbimit ndaj klientëve nuk kanë munguar edhe investimet për përmirësimin e zyrave postare, sistemin e sigurisë me pajisjen me kamera vëzhgimi të mjediseve postare në qytetet e Kukësit, Krumës e Bajram Currit, me synim shtrirjen e këtyre investimeve në të gjitha zyrat postare.

Për t’i ardhur në ndihmë të gjithë banorëve, deri edhe në zonat e thella, në çdo zyrë postare është instaluar interneti, përmes të cilit ata mund të komunikojnë me të afërmit e tyre jashtë vendit, një shërbim falas, i realizuar në bashkëpunim me Qeverinë shqiptare.