Lajme Shqip Friday, 25 November 2011 14:19

Kukës – Luhatjet e ndjeshme të temperaturave gjatë ditëve të fundit kanë shtuar ndjeshëm numrin e pacientëve që kërkojnë ndihmën e mjekëve në spitalin rajonal të qytetit të Kukësit.

Drejtori Rajonal i Shëndetësisë, Nikolin Martini, tha se “edhe pse numri i pacientëve që kërkojnë ndihmën e mjekut është rritur, nuk ka shqetësime të ndjeshme. Janë në qarkullim viroza, por jo një situatë ekstreme dhe e vështirë”.

Më të prekurit në këtë periudhë nga virozat, që shkaktohen si pasojë e luhatjeve të ndjeshme të temperaturës, janë fëmijët.

“Çdo ditë kërkojnë ndihmën e mjekut rreth 40 fëmijë, ndërsa 30 fëmijë janë të shtruar në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve”, tha Martini, duke shtuar se edhe të moshuarit janë prekur nga virozat e stinës.

Sipas tij, janë rreth 30 të sëmurë të kësaj moshe, që kërkojnë çdo ditë ndihmën e mjekut  për përballimin e këtyre virozave.

“Qendrat shëndetësore në qytet dhe të zonave rurale janë furnizuar me barna mjekësore, gjë që ka rritur ndihmën e shpejtë ndaj çdo të sëmuri”, tha Martini.