Lajme Shqip Friday, 04 November 2011 15:07

Kukës – Është mundësuar furnizimi me energji elektrike i 2 tuneleve të Kalimashit, pas tre ditësh të ndërprerjes në një gjatësi prej afro 3 kilometrash nga hyrja në anën e Thirrës të rrethit të Mirditës.

“Defekti i rëndë që ka pësuar rrjeti i furnizimit me energji elektrike ende nuk është rregulluar, ndonëse puna po vazhdon pa ndërprerje për eliminimin e defektit sa më shpejt të jetë e mundur.  Por, rifurnizimi me energji elektrike është mundësuar me vendosjen  në punë të dy gjeneratorëve përkohësisht deri në rregullimin e defektit”, bëjnë të ditur burime zyrtare të brigadës së monitorimit të tunelit.  

Ndërkohë, po punohet për riparimin e kabullit elektrik nëntokësor me synimin e normalizimit sa më të shpejtë të situatës në të gjithë gjatësinë e tunelit. Gjithsesi, tashmë janë rivënë në punë sistemi i ajrimit dhe i ndriçimit përgjatë gjithë gjatësisë së tunelit.