Lajme Shqip Tuesday, 23 August 2011 10:59

Kukës – Shërbimet e emergjencës civile kanë vënë nën kontroll vatrat e  zjarreve në masivet pyjore të rrethit të Kukësit.

“Tashmë janë vënë nën kontroll dhe po punohet për shuarjen e plotë të vatrave te zjarrit si në Qafën e Zbinecit në malin e Koretnikut dhe në Qafën e Kombit, afër fshatit Arrën,  ku zjarri vazhdon prej më shumë se 5 ditësh. Gjithashtu, në kontroll janë dhe vatrat e zjarrit në afërsi të fshatit Lojme, pas malit të Gjalicës dhe në zonën e Fushë Dugagjinit”, tha drejtori i ndërmarrjes së shfrytëzimit pyjor të rrethit, Shefqet Elezi.

Ndërsa përgjegjësi i zyres së emergjencave civile në prefekturen e Kukësit, Azem Tema, thekson se “vënia nën kontroll dhe përpjekjet për shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit, të shfaqura ditët e fundit në ketë zonë, është arritur me angazhimin e një numri të madh banorësh të fshatrave përreth, forcave të ushtrisë dhe të policisë”.

Por, megjithë punen e  madhe, shuarja e plotë e zjarreve ne zona  te ndryshme mbetet e vështirë për shkak të temperaturave mjaft të larta dhe erës që e vështirëson  punën.  Aq më tepëer që puna për  shuarjen e vatrave të zjarrit vazhdon me mjete rrethanore, pasi ndërhyrja e zjarrfikëseve është thuajse e pamundur në zonat e thella.

Nga specialistët  vlerësohet se dëmet e deritanishme nuk janë të mëdha. Si rrjedhojë e zjarreve të deritanishme është djegur një sipërfaqe prej rreth 10 ha pyje, ndërsa janë përshkruar nga zjarri një sipërfaqe prej rreth 3 ha, dëm jo aq i madh sa në vitin 2006, kur nga flakët e zjarrit në masivet pyjore të rrethit të Kukësit  u dogjën 1500 ha pyje.