Lajme Shqip Tuesday, 19 April 2011 09:44

Kukës – Pronat ende shtetërore, pa asnjë kujdes e të braktisura në më të shumtën e rasteve, janë rivënë në punë nga persona privatë që i shfrytëzojnë pa derdhur asnjë lek në buxhetin e shtetit. Kjo është një dukuri mjaft e përhapur, veçanërisht në zonat rurale të rrethit të Kukësit, ku edhe interesi për privatizimin e kësaj prone është i pakët.

Problemi është se nuk po gjendet një rrugëzgjidhje efikase për privatizimin e këtyre objekteve. “Kemi në proces privatizimi mjaft objekte që konsiderohen të braktisura, por janë vetëm në letra, pasi thuajse janë të shkatërruara, mungon interesi i blerësve për t’i privatizuar, edhe për shkak të çmimit që kanë”, thotë kryetari i degës së shoqërive publike të qarkut të Kukësit, Naim Pacara.

Në këto kushte janë me dhjetra objekte në pronësi të shtetit, që ose janë braktisur ose shfrytëzohen prej vitesh nga persona privatë, që edhe pse i shfrytëzojnë nuk derdhin asnjë lek në buxhetin e shtetit. Aq sa edhe energjinë elektrike të disa prej tyre vazhdon ta paguajë shteti si pronar i objektit, edhe pse prej tyre nuk nxjerr asnjë të ardhur.

Kështu vetëm në bashkinë e Kukësit janë rreth 80 objekte shtetërore, që nuk futen në proces privatizimi për shkak të mos zgjidhjes së pronësisë mbi tokën. Janë objekte industriale, një pjesë e të cilave tërësisht të amortizuara, por një pjesë shfrytëzohen prej vitesh nga persona privatë.

Mes të tilla objekteve është edhe Hotel Turizmi i ri, i ndërtuar në vitin 1988, i ngritur në një kodër dominuese të qytetit dhe i rrethuar nga të 3 anët nga ujrat e liqenit të Fierzës. Tashmë ky objekt është i braktisur nga të gjithë dhe po shkatërrohet dalëngadalë.

Si Hotel Turizmi i ri janë me dhjetra objekte në ish -zonën industriale të Kukësit. Bile për shkak të moszgjidhjes së pronësisë mbi tokën nuk po vihet në eficencë as objekti i pastrimit e tharjes së patates, ndërtuar vetëm 3 vjet më parë, ndonëse për të u shpenzuan mbi 400 mijë euro.