Lajme Shqip Wednesday, 09 November 2011 15:00

Kukës – Është normalizuar plotësisht lëvizja e mjeteve në të dy anët e tunelit të Kalimashit në rrugën Durrës-Kukës-Morin. “Lëvizja e mjeteve ka vazhduar normalisht edhe pse disa ditë më parë pati ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në të dy tunelet nga ana e Thirrës. Ndërsa tani  furnizimi me energji elektrike i të dy tuneleve është normalizuar”, thanë burime zyrtare të brigadës së monitorimit të tunelit.

Ndërkohë, masat e kontrollit në të gjitha mjediset e brendshme të dy tuneleve, me një gjatësi prej 5,6 kilometrash secili, janë të vazhdueshme me synimin e eliminimit të menjëhershëm të ndonjë shqetësimi në  teknikën e kontrollit e të vëzhgimit të të gjitha mjediseve të tij. “Një gjë e tillë është e domosdoshme në kushtet  e rritjes së fluksit të lëvizjes së mjeteve në të dy anët”, tha një prej specialistëve të brigadës së monitorimit të tunelit.

Për monitorimin e vazhdueshëm të mjediseve të brendshme të tunelit funksionojnë kamerat vëzhguese përmes një personeli shërbimi të përbërë prej 12  personash të specializuar.