Kukës – Sot në orët e para të mëngjesit në zonën verilindore janë shfaqur pas më shumë se 6 muajsh reshjet e para të shiut të shoqëruara edhe me erëra të fuqishme. Prej orësh reshjet e shiut vazhdojnë pa ndërprerje, duke vështirësuar edhe lëvizjen e mjeteve në akset rrugore. “Për mbajtjen nën kontroll të situatës kemi rritur numrin e postoblloqeve në akset rrugore. Deri tani nuk është shfaqur asnjë problem”, pohojnë burime zyrtare të policisë rajonale rrugore.
“Reshjet e shiut janë të dendura, të shoqëruara edhe me erëra të fuqishme e vetëtima. Pavarësisht kësaj deri tani nuk kanë shkaktuar problem në zonat rurale, ku shfaqja e rrëshqitjes së tokës është e shpeshtë”, thotë përgjegjësi i zyrës së emergjencës civile në prefekturën e Kukësit, Azem Tema.
Ndërkohë, reshjet e shiut kanë qenë të mirëpritura nga qytetarët për shkak se thatësira e këtyre muajve të fundit ka sjellë uljen drastike të prurjeve të ujit të pijshëm në burimin e Kolosjanit, gjë që ka bërë që prej kohësh katet e larta të pallateve të mos furnizohen me ujë të pijshëm.
Po ashtu, reshjet e shiut që sapo kanë nisur, do të ndalojnë rënien e mëtejshme të nivelit të ujit në liqenin e Fierzës. Ditët e fundit prurjet e ujit në liqenin e Fierzës ishin vetëm 35 metër kub në sekondë, gjë që solli rënien me ritme të shpejta të nivelit të liqenit, duke nxjerrë mbi ujë edhe rrënojat e qytetit të Kukësit të vjetër.