Lajme Shqip Tuesday, 17 May 2011 15:05

Kukës – Fillimi i sezonit të plazhit në bregdetin shqiptar ka shtuar fluksin e lëvizjes nga Kosova në drejtim të Shqipërisë. Këtë e pohojnë vetë vizitorët nga Kosova që hyjnë në Shqipëri përmes doganës së Morinit, në rrethin e Kukësit. 
“Po shkoj deri në Vlorë për disa ditë, pasi atje është çelur sezoni i plazhit”, thotë Gazmend Naseri nga Gjakova.  Gazmendi tregon se prej vitesh frekuenton plazhin e Vlorës dhe nuk ka ndërmend t’i ndahet. “Kam krijuar edhe shoqëri të mirë në Vlorë, jam mësuar atje, këtë radhë po shkoj për pak ditë jo për të kaluar pushimet”, thotë Gazmendi.   
Duket se procesi i votimeve në Shqipëri nuk ka ndikuar te kosovarët. “Nuk i kemi ndjerë problemet tuaja, kemi vazhduar të udhëtojmë andej këndej. Ja tani po kthehem nga Tirana ku kalova një natë”, thotë Selim Gajreku, nga Prizreni. 
Këtë na e pohojnë edhe biznesmenët kosovarë. Njëri prej tyre, Bedri Shehu, pronar i një lokali buzë lumit të Bistricës që përshkon qytetin e Prizrenit thuajse mes për mes, thotë se “kam krijuar bashkëpunim me kompanitë turistike që sjellin vizitorë drejt Kosovës, ndaj udhëtoj shpesh drejt Tiranës”. 
Gjatë këtyre ditëve përmes doganës së Morinit, dogana kryesore që lidh Shqipërinë me Kosovën, kanë lëvizur në të dy anët e kufirit gjatë 24 orëve  7500 – 8000 persona me rreth 2800 mjete të llojeve të ndryshme”, pohojnë burime zyrtare të Policisë Kufitare të qarkut të Kukësit. 
Pavarësisht fluksit në rritje përgjatë autostradës nuk është shënuar asnjë ngjarje e jashtëzakonshme. Për mbajtjen nën kontroll të situatës përgjatë segmentit të autostradës Morin-Tunel  janë shtuar postoblloqet e kontrollit ku pjesëmarrës janë edhe inspektorë të antitrafikut.
Dogana e Morinit mbetet dogana kryesore ku kryhet edhe lëvizja e vizitorëve dhe mallrave mes dy vendeve.  
Në kushtet e rritjes së fluksit të udhëtarëve, që parashikohet të rritet ndjeshëm gjatë verës, për të minimizuar radhët e gjata e kohëqëndrimin në mjediset e kontrollit të doganes, janë shtuar sportelet e kontrollit si dhe kontrolli i njëkohshëm i policisë kufitare e doganës, gjë që ka përshpejtuar ritmet e kontrollit të udhëtarëve.