Lajme Shqip Wednesday, 02 May 2012 08:00

Kukës – Ngritja e menjëhershme e temperaturave  ka  rritur rrezikun e rënies së zjarreve në masivet pyjore ne rrethin e Kukësit. Në  orët  e mbrëmjes së kaluar  një vatër zjarri është  shfaqur në masivin pyjor të malit të Koretnikut. “Nuk dihen shkaqet e rënies së këtij zjarri, ndërsa  për shuarjen e tij janë mobilizuar punonjës të ndërmarrjes së shfrytëzimit pyjor dhe  banorë të fshatrave të komunës së  Tërthores”, pohojnë  specialiste të ndërmarrjes së shfrytëzimit pyjor të rrethit. 

“Në këtë periudhë rreziku i rënies së zjarreve është në rritje. Kjo ka bërë qe te merren masa për  kontrollin e situatës. Kështu,  në bashkëpunim me pushtetin  vendor janë ngritur grupet e sinjalizimit, grupet e shuarjes së zjarreve, gjë që mundëson kontrollin gjatë 24 orëve të situatës”, thotë  përgjegjësi i policisë pyjore të  rrethit,  Behar Rexhmati.

Për kontrollin e situatës, nga specialistët e pyjeve kërkohet një bashkëpunim më i mirë me drejtuesit e pushtetit lokal, në kushtet kur mbi 70 për qind e pasurisë  pyjore ka kaluar në përdorim të pushtetit vendor.  Një gjë e tillë është e domosdoshme, pasi  tashmë rastet e para të rënies së zjarreve në pyje evidentojnë  rrezikun në rritje  të zjarreve në masivet pyjore. Deri tani në masivet pyjore të këtij rrethi  janë shfaqur  3 raste  zjarresh në afërsi të fshatrave  Kalis, Tejdrine dhe në malin e Gjalicës.  Secili prej këtyre zjarreve ka përshkruar  rreth 1000 metra,  gjë që tregon se dëmi i shkaktuar  është minimal.