Lajme Shqip Thursday, 10 November 2011 15:20

Kukës – Ndaj 22 banorëve të  moshës deri në 72 vjeç,  të lagjes Necaj të fshatit Mamëz  të rrethit të Kukësit, ka nisur proçedimi penal, pasi një ditë më parë kanë bllokuar rrugën që kalon mespërmes lagjes, duke penguar  mjetet e transportit të firmës “Nike Mine” ShPK  që transporton mineral hekur nikeli.

Drejtori i drejtorisë së policisë së qarkut të Kukësit Sadri Ramcaj, tha se, “fillimi i proçedimit penal është kryer për veprën penale me akuzë “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit në bashkëpunim”.

Konflikti mes banorëve të kësaj lagjeje dhe firmës private “Nikel Mine” ShPK ka nisur prej kohësh, ndërsa prej ditësh fëmijët e kësaj lagjeje kanë braktisur edhe shkollën. Kjo për faktin se rruga që kalon mes përmes lagjes është një kalimshe dhe mjaft e dëmtuar, ndërsa lëvizja e mjeteve të rënda të firmës ka sjellë edhe dëmtimin e disa banesave.

Banorët  që protestojnë prej ditësh kërkojnë pezullimin e lëvizjes së mjeteve në këtë aks rrugor, ndërsa vetë firma duhet të ndërtojë një aks rrugor të përshtatshëm për lëvizjen e mjeteve të saj, që tashmë kanë dëmtuar edhe një rezervuar të fshatit.