Lajme Shqip Friday, 09 December 2011 09:45

Kukës – Reshjet e dendura të shiut  dhe borës të një dite më parë, si dhe temperaturat e ulta që kanë përfshirë zonën verilindore, kanë bërë që në akset rrugore të krijohen shtresa akulli,  duke vështirësuar lëvizjen  normale të  mjeteve, por edhe të mjegullës mjaft të dendur që shtrihet përgjatë akseve rrugore përgjatë brigjeve të liqenit të Fierzës.

Ndërkohë, trashësia e dëborës në lartësinë e mbi 500 metrave nuk arrin më tepër se 10 centimetra.

“Të gjitha akset rrugore janë të kalueshme, por  duhet treguar kujdes nga drejtuesit e mjeteve në ato segmente ku  traseja e rrugës është mbuluar nga shtresa akulli, apo në ato akse ku mjegulla është e dendur”, thotë drejtori i ndërmarrjes së mirëmbajtjes së rrugëve, Arben Basha.

Më problematike janë akset rrugore Kukës-Shishtavec, Kukës- Bushtrisë, segmenti i autostradës Tunel – Fushë Dukagjin etj.  Pavarësisht situatës së krijuar, deri tani nuk është shënuar asnjë aksident automobilistik, vetëm disa përplasje mjetesh në segmentin Tunel-Fushë Dukagjin pa asnjë dëm për jetën e njerëzve.

Pas reshjeve të një dite më parë, shqetësimi kryesor tashmë është mjegulla e dendur që është shtrirë thuajse në të gjithë zonën verilindore, duke vështirësuar ndjeshëm lëvizjen  normale të mjeteve.  Për këtë janë shtuar postoblloqet e policisë rrugore dhe u është kërkuar drejtuesve të mjeteve të lëvizin me drita  të ndezura.