Lajme Shqip Wednesday, 09 November 2011 14:00

Kukës – Konflikti mes banorëve të fshatit Mamëz ,me firmën “Nikel  Mine” se cila prej dy vjetësh ka nisur punën për shfrytëzimin e një vendburimi të hekur nikelit në afërsi të këtij fshati, ka çuar në tensionimin e situatës mes dy palëve.

Burime zyrtare të policisë lokale, pohojnë se janë shmangur përplasjet mes palëve dhe se kjo situatë do vazhdojë deri në zgjidhjen e problemit nga institucionet kompetente.

Ndërkohë, banorët e njërës prej zonave më të më të prekura nga ky fenomen pohojnë se lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë të firmës ka përkeqësuar ndjeshëm situatën në këtë zonë.

“Sot kemi bllokuar lëvizjen e mjeteve të firmës në aksin rrugor përmes lagjes, pasi lëvizja e këtyre mjeteve ka dëmtuar tubacionet e ujit të pijshëm dhe rezervuarin për ujitjen e një sipërfaqeje prej 52 ha tokë bujqësore”, tha një banor.

Ndërsa prefekti i qarkut të Kukësit, Elez Maci shpjegon se, “firma në fjalë është e pajisur me lejen e shfrytëzimit dhe lejen mjedisore si dhe disponon dokumentacionin për shfrytëzimin e vendburimit”.

Fshati Mamëz ndodhet rreth  6 kilometra larg qytetit të Kukësit dhe në dy vitet e fundit firna  “Nikel Mine” ShPK ka nisur punën për shfrytëzimin e një vendburimi të pasur të hekurnikeli, vetëm 1,5 kilometra larg këtij fshati.