Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 14:09

Kukës – Investimet për rikonstruksionin tërësor të infrastrukturës rrugore, investimet në ndihmë të fermerëve, rihapja e shkollës së mesme etj, janë arsyet kryesore që kanë rritur interesin per rikthimin e banorëve të larguar vite më parë në zonën fushore të vendit, në komunën e Bushtricës.

“Gjithçka ka ardhur duke u përmirësuar në këtë zonë rurale, janë përmirësuar ndjeshëm kushtet e jetesës, gjë që ka ndikuar në masë të madhe për rikthimin e banorëve të larguar vite më parë në zonën përreth Tiranës”, thotë kryetari i komunës Kujtim Gjoka.

Sipas tij, janë të paktën 20 familje që janë rikthyer në vatrën e tyre, madje 15 prej të rikthyerve kanë ndërtuar banesa te reja, gjë që tregon për rritjen e kushteve të jetesë prej tyre.

Shkaqet që kanë nxitur banorët e larguar për t’u rikthyer sërish në vatrën e vjetër janë të ndryshme, por kryesisht faktit se nuk kanë mundur të përshtaten me mënyrën e jetesës në vatrën e re.

“U larguam për të përmirësuar jetesën e fëmijëve, por edhe në Tiranë vështirësitë ishin të mëdha. Nuk mundëm të ambientoheshim, ndaj u rikthyem në vatrën e vjetër”, tregon Safet Gjici, një prej të rikthyerve.

Edhe Bajram Gjadri është rikthyer nga Tirana. Ai thotë se nuk ia arriti të përmirësojë jetën e fëmijëve të tij, ndaj u rikthye te toka e tij.

Ndarja e tokës, sipas kufijve të vjetër në këtë zonë, ka mundësuar që edhe të larguarit ta kenë ruajtur pronësinë mbi tokën bujqësore, gjë që ka minimizuar rastet e grindjes me rikthimin e tyre. Po ashtu, ky fenomen ka mundësuar që familjet e rikthyera t’i kthehen menjëherë punimit të tokës bujqësore.