Lajme Shqip Friday, 04 November 2011 10:48

Kukës – Prej tre ditësh, të dy tunelet e Kalimashit  të autostradës  Morin – Kukës – Durrës, në një gjatësi prej 3 kilometrash nga hyrja në anën e Thirrës të rrethit të Mirditës, vazhdojnë të mos furnizohen me energji elektrike.

“Ende prej 3 ditësh nuk është bërë i mundur riparimi i defektit të ndodhur në  kabullin elektrik që furnizon me energji rreth 3 kilometra tunel nga ana e Thirrës.  Problemi është se  kabulli shtrihet  nëntokë, gjë që e vështirëson  gjetjen e defektit dhe riparimin e tij. Për këtë janë thirrur edhe specialistë të firmës turke për të ndihmuar për riparimin e shpejtë të defektit”, pohojnë burime zyrtare të  brigadës së monitorimit të tunelit.

Pavarësisht  mungesës së energjisë, lëvizja e mjeteve në të dy anët e të dy tuneleve ka vazhduar normalisht, ndërkohe qe udhëtarët e drejtuesit e mjeteve tregojnë se ndjehet minimalisht mungesa e  sistemit të ajrimit në mjediset  e brendshme të tunelit, si pasojë e mungesës së energjisë elektrike.