Lajme Shqip Tuesday, 02 August 2011 09:15

Kukës – Fluksi i lëvizjes së udhëtarëve në të dy anët e kufirit Shqipëri-Kosovë, përmes doganës së Morinit, në ditën e parë të muajit gusht ka shënuar një rritje rekord në krahasim me ditët e kaluara, kur fluksi i lëvizjes gjatë 24 orëve kishte arritur deri në rreth 12 mijë udhëtarë.
“Gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë në Shqipëri përmes doganës së Morinit 15 365 shtetas me 3 527 mjete të llojeve të ndryshme”, bëri të ditur zëdhënësja e drejtorisë së policisë së qarkut të Kukësit, Suada Sula.
Sipas saj, pavarësisht shifrave rekord të shënuara gjatë 24 orëve të fundit, në doganën e Morinit nuk është shënuar asnjë rradhë mjetesh për të lëvizur, kjo si rrjedhojë edhe e marrëveshjes me Kosovën që kontrollet të kryhen vetëm në njërën doganë.
Tendenca në rritje vërehet edhe duke krahasuar fluksin e lëvizjes nga muaji në muaj të vizitorëve në të dy anët e kufirit. Vetëm gjatë muajit qershor fluksi i vizitorëve që kanë hyrë në Shqipëri nga Kosova me destinacion kryesisht plazhet e bregdetit shqiptar ka arritur në mbi 120 mijë persona nga 69 mijë persona që kishin hyrë gjatë muajit maj. Pavarësisht fluksit në rritje të lëvizjes në këtë periudhë plazhi, fluksi në rritje i lëvizjes së udhëtarëve vërehet edhe në drejtim të hyrjes së shtetasve nga Shqipëria në Kosovë.
Për të përballuar fluksin në rritje të lëvizjes në të dy anët e kufirit, me synim minimizimin e rradhëve të gjata, në mjediset e doganës po punohet në bashkëpunim me palën kosovare për kontrollin e përbashkët, gjë që po kryhet edhe në akset kryesore rrugore.