Lajme Shqip Saturday, 07 May 2011 06:12

Kukës – Fluksi i lëvizjes në drejtim të Shqipërisë nga Kosova ka ardhur duke u rritur edhe pse ende nuk ka nisur sezoni i verës. “Përmes doganës së Morinit, dogana kryesore që lidh Shqipërinë me Kosovën, lëvizin në të dy anët e kufirit mbi 7000 persona në 24 orë dhe rreth 2200 mjete të llojeve të ndryshme”, pohojnë burime zyrtare të drejtorisë së policisë kufitare të qarkut të Kukësit.

Të njëjtat burime saktësojnë se, fluksi është në rritje edhe për faktin se është rritur numri i vizitorëve ditorë nga të dy anët e kufirit. Kështu, çdo ditë vizitorë nga jugu i vendit vizitojnë Kosovën, gjë që ka shtuar numrin e personave që lëvizin në të dy anët e kufirit.

Dogana e Morint është dogana kryesore ku kryhet edhe lëvizja e mallrave, qe ka patur një rritje të ndjeshme, ndërsa për të shmangur radhët e gjata, është shtuar numri i doganierëve, ndonëse në ndonjë rast vërehen radhë të mjeteve që presin të lëvizin në të dy anët e kufirit.

Për të ulur kohen e qëndrimit në mjediset e kontrollit të doganës janë shtuar sportelet e kontrollit si dhe kontrolli i njëkohshëm i policisë kufitare e doganës, gjë që ka përshpejtuar ritmet e kontrollit të udhëtarëve.

Dogana e Morinit, 20 kilometra larg qytetit të Kukësit, është dogana kryesore në kufirin prej 121 kilometrash Shqipëri – Kosovë. Përmes kësaj doganë lëvizin në të dy anët e kufirit mbi 90 për qind e mallrave e mjeteve mes dy vendeve.