Lajme Shqip Wednesday, 16 November 2011 20:45

Kukës – Numri i familjeve me ndihmë ekonomike  në bashkinë e Kukësit është në rritje,çka ka bërë që  ndihma ekonomike të kushtëzohet   me punën  në shërbim të komunitetit.

“Për muajin tetor numri i familjeve që përfitojnë ndihmën ekonomike ka arritur  në 2031, ndërsa fondi i akorduar për këtë qëllim arrin në  afro 8 milion lekë”, tha  në mbledhjen e sotme të këshillit bashkiak drejtori i zyrës së ndihmës ekonomike të bashkisë, Vladimir Trota.  Sipas tij, kjo  ka  kushtëzuar   që ndihma ekonomike  të shoqërohet  me punën në shërbim të komunitetit.  “Një gjë e tillë shërbën edhe si kontroll ndaj familjeve që përfitojnë ndihmën ekonomike, por  edhe përmirësimin e shpejtë  të  disa  problemeve që shqetësojnë aktualisht komunitetin, sic është problem i gjelbërimit, ku do të angazhohen 10 prej familjeve me ndihmë ekonomike”, theksoi Trota.

Ndërkohë,  edhe pagesa e të angazhuarve në punë komunitare do të jetë më e lartë, gjë që do të thotë se vec fondit të ndihmës ekonomike,  do të përfitiojnë edhe nga të ardhurat  e bashkisë.  “Projektet ku do të angazhohen familjet që përfitojnë ndihmën ekonomike do të jenë të vazhdueshme, ndërsa  përfitimi është i dyanshëm, edhe i komunitetit, edhe i vetë familjeve  në nevojë, pasi u rriten  të ardhurat”, tha ai.

Puna në komunitet  gjatë kësaj periudhe është përqëndruar  në  pastrimin e mjediseve të qytetit  dhe në  rigjenerimin e mjediseve të gjelbëruara, por edhe në mbjelljen e  fidanave të rinj në akset kryesore rrugore të qytetit.