Lajme Shqip Friday, 09 December 2011 11:50

Tiranë – Kreu i delegacionit të Parlamentit Evropian për Ballkanin, Eduard Kukan, theksoi në takimin e katërt ndërparlamentar për stabilizim-asociimin mes Shqipërisë dhe BE-së, se është momenti i duhur për Shqipërinë që të fillojë një etapë të re për anëtarësimin në BE.

Sipas tij, është e rëndësishme që të ketë një situatë të re. Kukan u shpreh i bindur që do ketë zhvillim. “Dialogu është i rëndësishëm për të arritur zhvillime edhe në të ardhmen. Momenti i ri duhet të përfshijë bashkëpunimin politik, dialogun konstruktiv dhe mendoj se kjo është e mundshme”, tha Kukan.

“Takimi i sotëm është i rëndësishëm për shqiptarët për të arritur trenin e radhës dhe delegacioni i PE është këtu për t’u ndihmuar juve për të qenë pjesë e reformave, por duhet të plotësoni rekomandimet për të qenë pjesë e BE-së”, tha Kukan.

Kukan nënvizoi se është i bindur se klasa politike do të gjejë një zgjidhje pozitive që do të çojë përpara reformat dhe të bëjë të mundur përmbushjen e rekomandimeve.

“Besoj se i njoh shqiptarët. Më pëlqejnë sfidat, më pëlqejnë ndryshimet, më pëlqen të punoj me ju. Është e rëndësishme të gjendet një zgjidhje për integrimin në BE. Jam i bindur se do të kemi një zhvillim pozitiv, të ecësh para me dialog është një hap i rëndësishëm. Momenti i ri duhet të përfshijë dialogun konstruktiv. Mendoj se kjo është e mundshme”, tha Kukan.

Grupi i europarlamentarëve në takimin e 4-t të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, BE-Shqipëri përbëhet nga Eduard Kukan (Kryetar i EPP Sllovaki), Viktor Boshtinaru (nënkryetar SD Rumani), Antonio Caancia (EPP Itali), Tanja Fajon (SD Slloveni), Stanimir Ilchev (ALDE Bullgari) dhe Michail Tremopoulos (EFA Greqi).