Lajme Shqip Wednesday, 13 July 2011 13:03

Tiranë – Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan, është shprehur në një intervistë për televizionin AS, se palët politike në Shqipëri duhet të punojnë për integrimin e vendit.

Pak orë pas zbardhjes së vendimit të Kolegjit Zgjedhor për garën për bashkinë e Tiranës, Kukan i bëri thirrje palëve të respektojnë vendimin dhe të nisin bashkëpunimin për reformat integruese të vendit.

“Në Shqipëri ka institucione të ligjshme, të cilat janë të përgjegjshme për vendimet që marrin. Unë mendoj se është e domodoshme që vendimet të pranohen, për t’u përqendruar tashmë në axhendën europiane, për t’u marrë me 12 kriteret që janë përcaktuar për Shqipërinë. Forcat politike duhet të jenë në nivelin e kërkesave të kohës për të komunikuar me njëra-tjetrën dhe për të diskutuar në frymë dialogu problematikën aktuale politike që kanë mes tyre”, tha Kukan.

Në këtë kuadër, Kukan ritheksoi se është tejet e nevojshme reforma në ligjin zgjedhor, të cilën ai e cilësoi si një garanci në marrjen fund njëherë e mirë të historisë së zgjedhjeve pa standarde.

“Mendoj se ka ardhur vërtet koha për të mbyllur njëherë e përgjithmonë këtë histori që përsëritet në çdo zgjedhje. Pra, është e domosdoshme të përgatiten ligje më të mira për zgjedhjet, të cilat të jenë në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it. Kjo do të ishte garancia që kjo situatë negative me zgjedhjet, të përfundonte njëherë e mirë”, theksoi ai.

“Palët politike në Shqipëri duhet të tregojne se interesi parësor është ai i qytetarëve të saj dhe ai lidhet me integrimin”,deklaroi kreu i delegacionit të PE-së.