Lajme Shqip Thursday, 08 December 2011 16:27

Tiranë-Kreu i Delegacionit për Marrëdhëniet me Evropën Juglindore, Eduard Kukan dhe eurodeputetët e tjerë të delegacionit të Parlamentit Evropian vleresojne se bashkëpunimi politik mes palëve në Shqipëri duhet të japë rezultatet e duhura, në funksion të aspiratave madhore të qytetarëve dhe vendit. 

Në një takim me kreun e Republikës Bamir Topi, delegacioni i deputetëve të Parlamentit Evropian, kryesuar nga Kryetari i Delegacionit për Marrëdhëniet me Evropën Juglindore, Eduard Kukan, u diskutua rreth zhvillimeve në vend.

“Ne e konsiderojmë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si një proces të bazuar tërësisht në performancë dhe meritë, i cili nëpërmjet realizimit të reformave është në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë”, – u shpreh Presidenti bën të ditur njoftimi zyrtar i Presidencës.

Kryetari i Shtetit Shqiptar vuri në dukje se dhe kjo vizitë e eurodeputetëve tregon për mbështetjen pa hezitim të komunitetit evropian për vendin tonë, po ashtu krijon bindjen se angazhimi, vullneti dhe përkushtimi që klasa politike shqiptare pritet të dëshmojë, do të ndikojnë pozitivisht procesin e marrjes së statusit kandidat nga Shqipëria.

Presidenti Topi vlerësoi se “pas dy vjetësh ngërçi politik, perspektiva evropiane ka treguar se është një mjet bashkimi dhe tejet i rëndësishëm për ndërtimin e konsensusit ndërmjet klasës politike në vend”. 

Presidenti i Republikës vlerësoi se ngritja e Komisionit “ad hoc” për Reformën Zgjedhore dhe Grupit të Punës për rishikimin e rregullave të Kuvendit, si dhe votimi në Komisionet parlamentare të disa kodeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, shënojnë zhvillime pozitive që i hapin rrugën zbatimit të 12 përparësive të Komisionit Evropian”, – ndërsa theksoi faktin se Raporti i Progresit i Komisionit Evropian është kthyer në një program pune për institucionet shqiptare, për të avancuar më tej agjendën evropiane.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti gjatë paraditës së enjtes delegacionin e Parlamentit Europian, të kryesur nga Eduart Kukan, të cilët ndodhen në Shqipëri për Takimin e rradhës BE-Shqipëri, të Komitetit Parlamentar për Stabilizim-Asociimin.

“Jemi shumë të lumtur që po vijnë lajme shumë pozitive nga Shqipëria. Arritja e marrëveshjeve dhe votimi i tre ligjeve me 3/5 janë hapa inkurajues dhe konkrete. Shpresojmë të vijohet në këtë klimë, në përmbushje të aspiratës integruese. Mesazhi i takimit tonë me ju është se  Parlamenti Europian mirëpret marrëveshjet e arritura mes partive politike”-tha Kukan, ndërsa shtoi se janë të lumtur që këto marrëveshje u arritën në parlament.

“Ne vlerësojmë kontributin tuaj, si Kryetare e Parlamentit, rolin tuaj pozitiv dhe duam të besojmë se kjo klimë do të vijojë.Kemi ardhur këtu t’ju rikonfirmojmë se në Parlamentit Europian gjërat po lëvizin pozitivisht për Shqipërinë dhe jemi të gatshëm të kontribojmë që kjo atmosferë të vijojë në këtë trend pozitiv”, shtoi Kukan.