Lajme Shqip Thursday, 01 December 2011 08:00

Tiranë-Kryetari i Delegacionit për Marrëdhëniet me Evropën Juglindore Eduard Kukan dhe Zëvendës-Presidenti i Grupit të S&D Hannes Swoboda, i kanë dërguar sot një letër të hapur kryeministrit Sali Berisha dhe Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, ku vlerësojnë marrëveshjet e arritura mes PD-së e PS-së për reformën zgjedhore, si edhe për të votuar në parlament ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar.

Ata i kanë cilësuar marrëveshjet mes palëve, si një zhvillim inkurajues edhe për procesin e integrimit.

“Marrëveshja e fundit midis palëve tuaja për të rifilluar punën tuaj të rregullt parlamentare është një hap i shumëpritur drejt normalizimit të klimës politike në Shqipëri.

Ne i mirëpresim këto zhvillime sepse ato sinjalizojnë gaditshmërinë për të kaluar në një epokë të re bashkëpunimi. Ne i konsiderojmë këto marrëveshje, të konfirmuara nga Parlamenti, si një përgjigje politike për sfidat e mëdha përpara.

Ky përparim nuk mund të kishte ardhur në një kohë më të mirë për vendin dhe rajonin. Tani, momenti duhet shfrytëzuar për të ndërmarrë masa politike që të jenë largpamëse, vendimtare dhe konstruktive për të siguruar një persperktivë të qartë për qytetarët. Shqipëria nuk duhet ta humbasë këtë mundësi”, thuhet në letrën e tyre.

Europarlamentarët në letrën e tyre, inkurajojnë forcat politike të vazhdojnë bashkëpunimin për përmbushjen e reformave të tjera që do të mundësonin integrimin në BE.
“Ne dëshirojmë t’ju inkurajojmë që të bashkoni forcat për përparimin e mëtejshëm të reformave lidhur me BE-në, në të njëjtën frymë pajtimi dhe pragmatizmi.

Ne jemi të kënaqur të shohim se ju keni njohur si një prioritet kombëtar zbatimin e dymbëdhjetë prioriteteve kyçe të Opinionit të Komisionit të Evropian mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ne gjithashtu besojmë fuqishëm se ka një mundësi tani për zbatimin e reformave të rëndësishme në lidhje me sundimin e ligjit dhe të të drejtave të njeriut, veçanërisht për reformën e gjyqësorit, luftën me efekasitet kundër korrupsionit dhe krimi të organizuar, dhe për të siguruar trajtimin jo-diskriminues dhe të barabartë të të gjithë qytetarëve”, theksojnë ata.

Ata deklaruan më tej se takimi i ardhshëm i Komitetit Parlamentar të Stabilizim dhe Asociimi në Tiranë, më 9 dhjetor do të jetë një mundësi për të shkëmbyer mendime me homologët shqiptarë. “Ne kemi besim se ky rast do të shënojë një fazë të re në marrëdhëniet tona”, përfundon letra e hapur.