Lajme Shqip Friday, 17 August 2012 19:46

Tiranë – Rifillimi i paralajmëruar së negociatave mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke, për çështjen e kufirit detar ka prodhuar reagimin e opozitës sipas të cilës qeveria shqiptare është duke nxituar në realizimin e një marrëveshje të re, duke qëndruar larg transparencës.

Saimir Tahiri nëkryetari grupit parlamentar socialist u shpreh se kryeministri Sali Berisha vazhdon nën një errësirë të plotë pa kurrëfarë transparence, të hedhë hapa drejt një marrëveshje për kufirin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Deputeti Tahiri kërkoi mbikëqyrjen nga presidenti Bujar Nishani, hap pas hapi të negociatave të reja.

“Ndaj i kërkojmë Presidentit të Republikës të bëjë menjëherë publike plotfuqinë me anë të së cilës ka ose do të autorizojë objektin dhe grupin negociator e të ekspertëve për marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, duke i bërë thirrje që të përjashtojë të gjithë ata persona që u përfshinë në negocimin e marrëveshjes së parë e që u rrëzua unanimisht nga Gjykata Kushtetuese.Marrëveshja e re nuk mund të negociohet përsëri nga Gerveni e shokë, të njëjtët që nuk patën pikën e ndërgjegjes profesionale dhe kombëtare kur hartuan qorrazi marrëveshjen e parë”, tha Tahiri.

Socialistët nuk janë kundra rinisjes së negociatave por ngulmojnë në pasjen e një transparence maksimale për këtë çështje.

“Kërkojmë transparencë në çdo hap të bisedimeve dhe negociatave për marrëveshjen e re. Kërkojmë zbardhjen e bisedimeve të deritanishme në rast se ka, publikimin e kërkesave të deritanishme në rast se ka, si dhe transparencë të plotë në çdo hap të diskutimit dhe negocimit, deri në finalizimin e marrëveshjes së ardhshme, kurdo qoftë ajo.Kërkojmë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese si dhe përfshirjen e ekspertëve të pavarur, shoqërisë civile, specialistëve të vendit e të huaj, përkrah grupit negociator të qeverisë, sepse vendi, toka, deti dhe sovraniteti kombëtar nuk i përkasin qeverisë e as mund t’i blejë dot me para Sali Berisha, por i popullit dhe i përket vetëm atij”, tha Tahiri.

Deputeti Tahiri i ka kujtuar kryeministrit Berisha se opozita në prag të 100-vjetorit të pavarsisë së Shqipërisë nuk do të lejojë një tjetër marrveshje si ajo e para për të cilën socialistët thonë se u hartua nën tavolinën e Kryeministrit, duke cënuar kështu sovranitetin e vendit. (T.Ch)