Lajme Shqip Thursday, 25 July 2013 14:13

Prishtinë – Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka thënë se me marrëveshje duhet të përfundojë mandati i EULEX’it ashtu siç ka ndodhur me përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur.
Por, para se të ndodh largimi i Misionit më të madh të BE’së për Sundimin e Ligjit, Kuçi ka thënë se duhet të forcohen institucionet e drejtësisë dhe të gjitha prokurorët dhe gjyqtarët të jenë në gjendje të zbatojnë ligjet ashtu siç janë miratuar në Kuvendin e Kosovës.
“Qeveria e Kosovës do t’i kryej të gjitha obligimet e veta në këtë drejtim. Natyrisht, ne do ta përfundojmë misionin e EULEX’it dhe duhet të përfundojë dhe duhet të jemi sikur të gjitha shtetet tjera sovrane për rreth nesh. Por e gjithë kjo duhet të ndodh në mirëkuptim, me plotësimin e kapaciteteve tona”, ka thënë Kuçi në debatin që po zhvillohet aktualisht në Kuvend në lidhje me mandatin e EULEX’it.
“Mbi të gjitha me një marrëveshje sikurse e kemi përmbyllur pavarësinë e mbikëqyrur me marrëveshje, edhe Misionin e EULEX’it me marrëveshje do ta përfundojmë”, ka thënë ai.
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka thënë se me ngritjen e kapaciteteve në fushën e drejtësisë do te zvogëlohet prania e ndërkombëtarëve në këtë fushë. Ai ka thënë se kanë propozuar që në Gjykatën Themelore në Prishtinë të themelohet një departament i cili do të emërohej si “Departamenti për krimet serioze”.
“E para të merren me korrupsionin në nivelin e lartë. E dyta, me krimin e organizuar. E treta, me shpëlarjen e parave. E katërta me terrorizmin dhe e pesta me krimet e luftës. Mendoj se këto kompetenca duhet t’i bartim në një departament të tillë që janë të përafërta me vendet e tjera”, ka thënë ai.
Ndërkohë, Rexhep Selimi i Vetëvendosjes ka kërkuar që të votohet iniciativa e veteranëve të UÇK’së për t’ia ndërprerë mandatin EULEX’in.
“Kjo kërkesë e veteranëve duhet të përshihet në rekomandimet e këtij debati”, ka thënë Selimi.
Ymeri, Grabovcit: Të besoj veç kur flet italisht
Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ka filluar me kundërshtime rreth mbajtjes ose jo të debatit për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, rolin e EULEX-it, Qeverisë së Kosovës dhe periudha e tranzicionit. Opozita akuzojë propozuesin për ndryshimin e kërkesës pa dijeninë e deputetëve nënshkrues. Megjithatë, pas votimit u vendos që debati të vazhdojë.
Për shkelje të procedurave Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri ka thënë se deputetët e kësaj partie nuk do të marrin pjesë në debat.
Pakënaqësi për këtë çështje ka shfaqur edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, derisa Shefi i Grupit Parlamentar Ardian Gjini ka kërkuar mocion për heqjen e debatit, i cili u hodh poshtë me 43 vota, 15 vota ishin kundër derisa 5 deputetë kanë abstenuar.
Tërheqjen e rezolutës e ka kërkuar edhe Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, i cili ka kërkuar që të nxirret një rezolutë pas konsultave të shefave të grupeve parlamentare.
Edhe Kryetari i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se nuk e përkrahin rezolutën me rekomandimet shtesë të cilat janë shtuar pa dijeninë e deputetëve nënshkrues.
Mos mbajtjen e një debati të tillë e ka kërkuar edhe iniciuesi Kurtan Kajtazi, i cili për këtë ka ngjallur reagimin e Ymerit të Vetëvendosjes.
Ai ka thënë se nuk i beson atij dhe deputetëve të tjerë të PDK-së, të cilët sipas tij në të njëjtën mënyrë u tërhoqën edhe nga rasti “Kleçka”.
Pas reagimit të Grabovcit, i cili tha se nuk dëshiron të merret me deklaratat e atyre që nuk u besojnë institucioneve, ka reaguar sërish Ymeri duke thënë se nuk i beson Grabovcit dhe shokëve të tij.
Ai i tha Grabovci është vetvetja vetëm kur flet italisht, prandaj i tha se i beson vetëm kur flet për atë gjuhë.
Debat është zhvilluar edhe në mes të deputetit Kurtan Kajtazi dhe Ismet Beqirit. Kajtazi akuzoi Beqirin se nëpërmjet sms-ve kishte kërcënuar deputetët e LDK-së që të mos përkrahin debatin e tillë.
Por Beqiri duke mohuar mundësinë e tillë i ka kujtuar Kajtazit që të mos shpif dhe se nëse posedon ndonjë fakt të tillë ta bëjë publik./Kosovapress/Lajmeshqip/