Lajme Shqip Monday, 12 December 2011 12:50

Prishtinë – Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, thotë se pas takimit të Këshillit të ministrave të BE-së, Serbia ka kuptuar se duhet të fillojë të bëjë lëvizje pozitive në ndërtimin e raporteve të fqinjësisë së mirë me Kosovën.

Kuçi pret që Serbia do t’i respektojë të gjitha marrëveshjet e arritura me Kosovën gjatë zhvillimit të procesit negociues.

Data 26 dhjetor duhet të shënojë fillimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve kosovarë drejt Serbisë, me dokumente të Republikës së Kosovës.

Zëvendëskryeministri, njëherit Ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi thotë se pas takimit të Këshillit të ministrave të BE-së, pret që Serbia t’i respektojë të gjitha marrëveshjet e arritura me Kosovën.

“Besoj se Serbia do ta kuptojë drejt dhe do ti respektojë marrëveshjet por edhe do të ndërtojë marrëveshje të tjera që kanë të bëjnë me fqinjësinë e mirë me rajonin. Ne i besojmë shumë SHBA-së dhe BE-së. Mbi bazën e atij besimi besojmë në ndryshimet pozitive në raportin Kosovë Serbi dhe rajon“, theksoi Kuçi.

Zëvendëskryeministri Kuçi, tha se nëse marrëveshja e lëvizjes së lirë nuk do të respektohet nga ana e Serbisë, një politikë e tillë nuk do të ndiqet edhe nga institucionet e Kosovës, karshi qytetarëve të Serbisë.

“Ne nuk do ta imitojmë Serbinë. Politika e tillë ka treguar qe 20 vjet që është e gabuar dhe ajo po shihet që po i kushton edhe popullit serb, përveç që i ka kushtuar një shkallë gjenocidi edhe popujve tjerë, përfshi edhe popullin tonë”, deklaroi ai.

Në bisedimet e fundit midis Kosovës dhe Serbisë Beogradi ka dhënë garanci se do të fillojë të zbatojë marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, prej 26 dhjetorit.

BE-ja do ta mbikëqyrë nëse liria e plotë e lëvizjes do respektohet që nga kjo datë nga ana e Serbisë.