Lajme Shqip Thursday, 07 March 2013 18:12

Prishtinë – Në takimin e rregullt të Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit, zyrtarët e vendit dhe ata evropian janë pajtuar që duhet të ketë një sundim të ligjit më të madh në Kosovë. Po ashtu është parë e nevojshme sistemi i mekanizmi për bashkërendim të aktiviteteve mes institucioneve të vendit dhe atyre ndërkombëtare, si dhe është kërkuar nga politikanët dhe mediat që mos të ndërhyjnë në punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, në mënyrë që ata të mund ta bëjnë punën e tyre të pavarur.

Pas një takimi rreth një orësh dhe larg mediave, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar dhe shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt kanë dalë në një konferencë për media, por që nuk kanë pranuar të përgjigjen në pyetjet e gazetarëve.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka thënë se në këtë takim është diskutuar për përmirësimin e rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës, duke shprehur angazhimet e përbashkëta në fusha të caktuar edhe për drejtësi, por edhe për çështjet e bashkëpunimit të policisë dhe të doganave me atë të EULEX-it.

Ai ka thënë se janë ardhur në konstatime për zhvillimet pozitive për rendin dhe ligjin në Kosovë dhe për gatishmërinë që të punohet ngushtë në mes të institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it.

Kuçi ka theksuar se përmirësimi i rendit dhe ligjit në Kosovë, implementimi i tyre dhe krijimi i hapësirës së mirë për punë, për gjithë gjyqtarët dhe prokurorët vendor dhe ndërkombëtar është prioritet i qeverisë.

Por ai ka kërkuar që mediat dhe politikanët mos të ndërhynë në punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Kemi theksuar se në vendin tonë ka mundësi që të përmirësohet rendi dhe ligji, ka mundësi që të krijojmë kritere të përafërta me ato të shteteve anëtare të BE-së dhe që rendi dhe ligji në shtetin tonë duhet të mbështetet edhe nga institucionet, qytetarët, por edhe nga mediat. Kemi theksuar raste kur njerëzit janë të kufizuar, në veçanti prokurorët dhe gjyqtarët nga një lloj presioni i padrejtë ndaj punës së tyre që bëjnë si prokurore apo si gjyqtarë, por duhet të jemi të kujdesshëm që edhe njerëzit e medieve dhe të politikës t’u japim hapësirë që ata të punojnë në mënyrë të pavarur”, ka theksuar ministri Kuçi.

Më tej ai ka shtuar se ka angazhime të përbashkëta, shkrirje të prioriteteve në veçanti në kompakt-mekanizmin që do të ndihmonte në fokusimin tonë për rend dhe ligj, që do të ndihmonte në ngritjen e rendit dhe ligjit në vendin tonë dhe do të ndihmonte në procesin e integrimeve në BE, në veçanti në procesin e liberalizimit të vizave dhe në atë të stabilizim asocimit.

Ministri i Drejtësisë ka thënë se kriteret afatshkurta për rend dhe ligj janë plotësuar në tërësi, duke shtuar se Qeveria shpreh gatishmëri për bashkëpunim më të thellë me Zyrën e BE-së në Kosovë, por edhe me EULEX-in për përmirësimin e rendit dhe ligjit dhe të gjitha fushave tjera.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar ka thënë se në takim u konfirmua edhe një herë mekanizmi i partneriteti mes Kosovës dhe BE-së lidhur me sundimin ligjit.

“Mendoj se në çdo takim që kemi konfirmojmë se ky është vend i dialogut, vend i vlerësimit të arriturave dhe progresit, dhe është po ashtu vendi ku diskutojmë për aktiviteteve të ardhme lidhur me sundimin e ligjit. Në këtë mënyrë mendoj se ky mekanizëm është duke u përmirësuar dita ditës si një element i rëndësishëm për Kosovën dhe BE në procesin e Kosovës drejt BE-së, posaçërisht në procesin e liberalizimit të vizave e po ashtu edhe në procesin e stabilizim-asocimit”, ka deklaruar Zhbogar.

Ndërkaq, shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt, ka thënë se misioni që ai drejton është duke kryer punën e vet, me fokus të bashkëpunimit me institucionet e vendit në mënyrë për tërheqje graduale.

“Jemi përcaktuar në fusha që duhet të përmirësohen dhe të vendosim sistemin mekanizmin e sistemit të përcjelljes i cili do të jetë një element i rëndësishëm për punën tonë. EULEX është duke bërë punën e vet me fokus të rritjes së bashkëpunimit, i cili do të reflektoj në qasjen tonë bazuar në partneritetin për të ndërtuar kapacitete dhe për të përkrahur tërheqjen graduale të EULEX, por duhet një përkushtim nga ana e qeverisë”, ka theksuar Borchardt.

Edhe shefi i EULEX-it si çështje kryesore, ka përmendur që prokurorët dhe gjykatësit të punojnë pa frikë, pa denigrim të pajustifikuar, pasi që siç ka thënë ia kjo është një çështje shumë e rëndësishme.(K.P/LajmeShqip.com)