Lajme Shqip Tuesday, 12 April 2011 15:08

Prishtinë – Kosova si shtet i ri kërkon përkrahje të vazhdueshme nga të gjitha institucionet relevante evropiane, tha sot zv/kryeministri kosovar dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, gjatë vizitës që është duke zhvilluar në Greqi, ku po merr pjesë në konferencën e Bankës Botërore dhe të Organizatës Evropiane të së Drejtës Publike, që po mbahet në Athinë “Just-Pal”, për sistemet e drejtësisë në vendet e Evropës dhe të Azisë Qendrore.

Burime zyrtare të Ministrisë kosovare të Drejtësisë bënë të ditur se Kuçi është takuar sot më sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë, Ioannis-Alexios Zeppos.

Gjatë këtij takimi, ministri Kuçi, përveç kërkesës për njohjen e Kosovës nga ana e shtetit helen, ka kërkuar edhe uljen e tarifave-taksave të sigurimeve të automjeteve për qytetaret e Kosovës që hyjnë në Greqi, për mundësinë e prezencës dhe investimeve nga ana e investitorëve grekë në Kosovë, si dhe bashkëpunimin në fushën akademike dhe mundësinë që studentëve kosovarë t’u ofrohen kushte dhe bursa studimore, për të studiuar në universiteteT greke.

Ndërsa, sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë, Zeppos, sipas njoftimit të zyrës për informim publik të Ministrisë kosovare të Drejtësisë, i ka mirëpritur kërkesat e ministrit Kuçi dhe ka thënë se do te bëjë përpjekje që të ndihmojë Kosovën në fushat e përmendura, ku me seriozitet janë duke e shqyrtuar mundësitë e investimeve dhe të uljes së tarifave të sigurimeve për automjetet kosovarë që hyjnë në Greqi.

Po sot, ministri Kuçi prezantoi në Konferencën e Bankës Botërore dhe të Organizatës Evropiane të së Drejtës Publike, “Just-Pal”, për sistemet e drejtësisë të vendeve të Evropës dhe të Azisë Qendrore, sistemin juridik të Kosovës, bashkëpunimin e ngushte mes Ministrisë së Drejtësisë dhe EULEX-it, si dhe shprehu nevojën për përmirësimin e mëtejshëm të jetës juridike, garancinë për pavarësinë e plotë të sistemit gjyqësorë dhe nevojën për reforma të vazhdueshme në këtë sistem.

Po ashtu, ministri Kuçi u shpreh se “Kosova si shtet i ri kërkon përkrahje të vazhdueshme nga të gjitha institucionet relevante evropiane, meqenëse reformat institucionale dhe legjislative janë prioritet mbi prioritetet për Qeverinë e Kosovës dhe në këtë drejtim, gjykatat kanë rol esencial në pavarësinë e sistemit gjyqësor”.