Lajme Shqip Thursday, 28 April 2011 16:56

Prishtinë – Qeveria e Kosovës siguron qytetarët e vendit se nuk do të ketë ndarje të vendit. Numri dy i qeverisë, Hajredin Kuçi, thotë se ndarja e Kosovës është dridhje për Ballkanin.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje e bënë përgjegjëse qeverinë nëse një gjë e tillë ndodhë dhe kërkon ndërprerje të bisedimeve.

Derisa Qeveria e Kosovës është e bindur se çështja e ndarjes së Kosovës nuk do të jetë asnjëherë në tavolinë të bisedimeve, është Lëvizja Vetëvendosje që i frikësohet një agjende të tillë.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se pala kosovare nuk ka qëllim të tillë. Ai tha se hapat e tillë në njëfarë mënyrë do të dridhnin tërë rajonit e Ballkanit e do të sillnin pasoja të mëdha.

Kuçi tha se Kosova po bisedon me Serbinë vetëm çështjet teknike e asgjë më shumë.

Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se nëse vjen deri të ndarja e Kosovës, përgjegjësinë do ta ketë vetë qeveria dhe bashkësia ndërkombëtare. Sipas tij, politika aktuale e qeverisë së vendit, po e dërgon vendin në drejtim të ndarjes. Konjufca mendon se për t’i ikur kësaj, duhet menjëherë të ndërpriten bisedimet me Serbinë.

Deklaratat për ndarje të mundshme të Kosovës tashmë kanë ardhur nga Beogradi si opcion i mundshëm, por një gjë e tillë kundërshtohet në Kosovë nga të gjitha forcat politike.