Lajme Shqip Saturday, 11 May 2013 14:32

Prishtinë – Në një intervistë dhënë radios DW, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar se është  dindur që marrëveshja Thaçi-Daçiq nuk do të dështojë. Sipas tij, marrëveshja nuk do të dështojë, jo vetëm nga ana e Serbisë apo nga ana e Kosovës, por edhe për arsye se faktori ndërkombëtar është garant i marrëveshjes, në radhë të parë Bashkimi Evropian pastaj faktorët e tjerë përfshirë edhe shtetin më me ndikim në botë, SHBA-në. “Marrëveshjet ndërkombëtare zakonisht nuk dështojnë, ato mund të prolongohen. Secila palë ka qenë e vetëdijshme në kohën kur e ka nënshkruar. Mund të ketë tendenca për prolongim të kohës, këtë e kemi vërejtur nga delegacioni serb dhe tendenca për një interpretim më ndryshe të marrëveshjes, në momente të caktuara interpretim përtej marrëveshjes, dhe kjo na ka vënë në një hendek ndërmjet dy palëve tona. Unë besoj se një interpretim autentik duhet të vijë nga zonja Ashton dhe nga të dy kryeministrat, ai i Kosovës dhe Serbisë”, tha Kuçi.
Sipas tij, pala serbe e sheh ndryshe asociacionin e komunave. “Ne mendojmë se ai mund të themelohet dhe duhet të themelohet pas mbajtjes së zgjedhjeve të lira. Ne kemi bërë një kompromis duke pranuar ta themelojmë një grup përgatitor për asociacionin me vendim të qeverisë, me detyra dhe terma të referencës dhe me afat kohor deri sa të mbahen zgjedhjet e lira, që mendojmë të zhvillohen në tetor të këtij viti. Çështja e dytë është të inkorporimi i strukturave të sigurisë, jo për Policinë e Kosovës me pjesëtarët serbë, por strukturat e tjera dhe ato të drejtësisë. Ne kemi pasur dhe kemi qëllim që ato të shkojnë përmes konkursit sipas kritereve për të gjithë të tjerët me një proces verifikues që ia besojmë ta bëjnë KFOR-i, ose EULEX-i, do të thotë jemi tolerant në këtë drejtim. Dhe e treta sa i përket kohës së zgjedhjeve, ato duhet të mbahen njëherazi në të tërë territorin e Kosovës, në të gjitha komunat shqiptare dhe serbe, në mënyrë që të kemi njëtrajtshmëri të legjitimitetit demokratik. Në këto tri pika janë dallimet kryesore, por ajo çka duhet të them është se pala serbe ka tentuar të diskutojë në gjëra gjenerale, duke mos u lëshuar në ato konkrete pikërisht për hir të prolongimit të kohës. Edhe mund ta kuptojmë për hir të zhvillimeve të brendshme, sepse ne jemi njerëz të politikës, por duhet të japim shenja konkrete të implementimit të marrëveshjes, sepse ne e kemi nënshkruar marrëveshjen për hir të implementimit dhe po ashtu dua të them se Kosova është e gatshme ta zbatojë marrëveshjen pikë për pikë”.

I pyetur nëse Kosova do të marrë vendime të njëanshme për implementimin e marrëveshjes nëse pala serbe nuk është dakord për këtë, Kuçi ka theksuar se marrëveshja është rruga më e mirë për integrimin paqësor dhe me dinjitet të asaj pjese dhe të qytetarëve tanë serbë që jetojnë aty. “Rruga më e mirë dhe më e preferueshme për ne dhe për qytetarët serbë, që janë atje, është të respektohet marrëveshja, të implementohet plotësisht, pasi ajo u garanton atyre edhe dinjitet edhe siguri edhe identitet nacional edhe fuqi politike për të qeverisur në nivelin lokal dhe për ta ndier vetën që janë pjesëmarrës të pushtetit në Kosovë. Rrugët e tjera janë më të vështira, por, në anën tjetër, veprimet unilaterale nuk janë të pëlqyeshme as nga faktori ndërkombëtar. E drejta jonë për ta ushtruar autoritetin brenda territorit të Kosovës është një e drejtë e pakontestueshme, por ne po provojmë që ta shfrytëzojmë rrugën pro dialogut dhe marrëveshjes”.