Lajme Shqip Thursday, 22 March 2012 14:37

Prishtinë – Pasditen e së mërkurës, disa orë pas vendimit të Gjykatës, Thaçi ishte në Qeveri dhe pastaj në një mbledhje të partisë.

Në asnjërën prej paraqitjeve publike nuk e përmendi Limajn. Por, pas të dyja aktiviteteve ka folur zëvendësi i Thaçit në Qeveri e parti, Hajredin Kuçi.

Pasi i janë hequr mikrofonat, ai ka thënë se Limaj mund të zgjedhë çfarëdo pozite në ekzekutiv, përjashtuar atë të kryeministrit

Kuçi, në emër të Qeverisë ka përshëndetur këtë zhvillim në rastin Limaj, dhe ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur dilemë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë.

Por, kthimi i tij nuk është aq i lehtë në Qeveri, së cilës ia kishte dhënë votën si deputet. Pak para se të vihej në arrest shtëpiak, të cilit akt i hapi rrugë një interpretim për imunitetin i Gjykatës Kushtetuese bërë me kërkesë të kryeministrit Thaçi, Limaj kishte bërë një varg akuzash për numrin një të Qeverisë.

Në një intervistë në emisionin “Rubikon” të KTV-së, ai kishte thënë se “gjahu kundër meje është politik”.

Disa çaste pasi Limaj u lirua nga arresti shtëpiak, të mërkurën, ai me Krasniqin u gjenden bashkë në një kafene në qendër të Prishtinës. Limaj nuk ka folur, e Krasniqi foli për të.

“Ju e dini se unë nuk kam dyshuar asnjëherë në pafajësinë e Fatmirit, gjithashtu nuk kam dyshuar asnjëherë në vendimin e drejtë të gjykatës dhe mendoj se është krejt një vendim i drejtë, dhe ne dëshirojmë që vërtet gjyqësia në Kosovë të marrë një mësim nga rasti i tij”, ka thënë Krasniqi. “Ndihem shumë mirë. Po them edhe një herë, nga fillimi kam qenë i bindur se është një gjyq me premisa politike i filluar nga Prokuroria, por më vjen mirë se më në fund gjykimi ose Gjykata e EULEX-i kanë dhënë një verdikt të drejtë dhe mbi bazën e ligjit dhe të drejtësisë”.

Edhe Krasniqi është pyetur nëse do të ketë vend për Limajn në Qeveri. Ka thënë për të se do ta ketë vendin që e meriton.  /KD