Lajme Shqip Saturday, 19 November 2011 08:00

Prishtinë-Kosova nuk pranon kurrfarë ndarjesh apo këmbim territoresh, tha sot  zv/kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, në një konferencë për media në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.

Ai foli për situatën aktuale, proceset politike dhe ekonomike të Kosovës, duke theksuar se qeveria  e Kosovës bashkë me institucionet ndërkombëtarët po bën gjithçka që të funksionojë shteti juridik, duke krijuar siguri dhe lëvizje të lirë për gjithë qytetarët.

“Kosova pas 12-të vjetëve të çlirimit dhe 3 vjetëve të pavarësisë, është shndërruar në një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon”, tha Kuçi.

Sa i përket zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, zv/kryeministri Kuçi i bëri apel Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki-Moon, për krijimin e kushteve për heqjen e barrikadave dhe strukturave paralele në veri të Kosovës, si dhe për fillimin e dialogut teknik në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë në Bruksel.

“Nuk pranojmë kurrfarë ndarjesh apo këmbim territoresh të Kosovës. Kosova ka sot kufijtë e vet shtetëror dhe ky integritet territorial duhet respektuar edhe nga pala serbe, të cilët nuk duhet të bien pre e provokimeve të regjimit të Beogradit, sepse perspektiva e tyre është kah Kosova dhe ata i posedojnë të gjitha mundësitë dhe kushtet për integrim në shoqërinë tonë”, tha Kuçi.