Lajme Shqip Saturday, 24 March 2012 17:26

Prishtinë-Kosova kurrë nuk do të jetë më pak se shtet, tha sot zv.kryeministri kosovar Hajredin Kuçi, duke theksuar se engjëjt mbrojtës të pavarësisë janë dëshmorët e lirisë dhe garantues qytetarët e saj dhe bota demokratatike.

“Kosova është shtet prej katër vitesh. Mund të jetë gjithmonë më shumë, por kurrë më pak se shtet, dhe në këtë drejtim nuk kemi asnjë dilemë”, u shpreh Kuçi.

Në emër të qeverisë së Kosovës, ai ka folur në manifestimin në kompleksin memorial në Gllogjan, në ditën e shënuar të 24 Marsit, të 14-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin dhe të 13-vjetorit të ndërhyrjes ushtarake shpëtimtare të NATO-së për Kosovën.

“Sa herë që kujtojmë data të tilla frymëzohemi për punë më të mëdha dhe angazhime edhe më të mëdha, që Kosovën t’a dërgojmë krah kombeve të lira, krah botës demokratike dhe populli shqiptar të jetë krenar me të kaluarën e vet dhe vizionar për ndërtimin e së ardhmes”, tha numri dy i qeverisë së Kosovës, Kuçi.

Në manifestim, në mesin e shumë pjesëmarrësve ishin drejtues institucionalë e politikë të Republikës së Kosovës e hapësirave shqiptare, si dhe përfaqësues të familjeve të heronjëve, Jashari nga Prekazi dhe Haradinaj të Gllogjanit. (LajmeShqip.com)