Lajme Shqip Tuesday, 07 February 2012 20:41

Prishtinë-Zv/kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në takimin e Nën-komitetit për Drejtësi, Liri dhe Siguri  që zhvillohet në kuadër të Dialogut të Procesit të Stabilizim Asocimit.

Ai tha se integrimi evropian i Kosovës është përkushtimi dhe platforma nacionale, është vullneti i qytetarëve të Kosovës dhe si i tillë është vizioni politik e qeveritar dhe shtoi se rreth kësaj platforme ekziston një konsensus i brendshëm shoqëror dhe politik, për të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës është duke punuar me përkushtim të jashtëzakonshëm.

“Sot, jemi mbledhur këtu për të konfirmuar marrëdhëniet e shtetit tonë me Bashkimin Evropian dhe për të adresuar nevojën e ri-afirmimit të përkushtimit tonë për perspektiven e qartë evropiane”, tha Kuçi.

Zv/kryeministri me tutje shtoi se ky takim do të ketë rëndësi të posaçme për Kosovën, për mënyrën se si do të zhvillohet edhe procesi i liberalizimit të vizave, proces që është lansuar në janar të këtij viti dhe që paraqet një hap konkret për perspektiven evropiane të Kosovës.

Ai tha se Qeveria e Kosovës do të jetë e përkushtuar që t’i adresojë të gjitha sfidat nga fusha e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë dhe të krijojë infrastrukturë sa më të favorshme institucionale dhe ligjore për përmirësimin e gjendjes në këto fusha.

Sipas zv/kryeministrit Kuçi, ndarja e një pjesë të kompetencave në fushën e drejtësisë dhe sigurisë, me EULEX-in, siguron reforma dhe veprime që janë në përputhje me standardet evropiane.

Kuçi tha se konkluzionet që dalin nga ky takim, janë jashtëzakonisht të rëndësishme për institucionet e Kosovës, pasi që zbatimi i tyre do të jetë matës i progresit në Kosovë, në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë. (LajmeShqip.com)