Lajme Shqip Monday, 20 August 2012 17:06

Prishtinë – Zv/kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi thotë se ideja e tij për një traktat paqeje mes Kosovës dhe Serbisë mund të duket e pakapshme për momentin, por shton se ata që kanë bërë luftën kanë një detyrim për paqen në vend dhe harmoni me fqinjët.

Kuçi, njëkohësisht edhe ministër i Drejtësisë ndodhet në Ajova në kuadër të një programi partneriteti mes këtij shteti dhe Kosovës.  Sipas Zërit të Amerikës, zv/kryeministri Kuçi e shpjegon propozimin për traktat më shumë si objektiv në fund të një procesi të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, sesa si një qëllim i afërt.

Ai thekson se pavarësisht se mund të duhet një muaj, një viti, apo disa vjet për ta arritur këtë, kjo do të jetë një zgjidhje e përhershme. Për zotin Kuçi një element thelbësor për sukses do të ishte “një presion pozitiv nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Unioni Evropian”. Ideja e tij është që për çdo lloj dialogu mes dy vendeve, Kosova të parashtrojë një propozim për traktat paqeje, por se në fillim duhet një garanci nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe Bashkimi Evropian. 

“Traktati është si përfundim do të thoja i këtyre takimeve, si përfundim i një qëllimi dhe hapja e një kapitulli të ri, do të jetë definim i raporteve Kosovë-Serbi dhe mbi bazën e saj do të mbyllej kapitulli i konfrontimit dhe do të hapej ai i bashkëpunimit”.  Lidhur me rifillimin e mundshëm të bisedimeve, zoti Kuçi thotë se Kosova ka treguar gadishmëri për të lëvizur nga pozicioni aktual në një dialogu që do të rregullonte raportet ndërshtetërore. Por ai thotë se Prishtina kërkon paraprakisht zbatimin e marrëveshjeve të  mëparshme, veçanërisht menaxhimi i integruar të kufijve që do të tregonte vullnetin dhe gadishmërinë për fqinjësi të mirë.

“Ne presim që këtu gjithmonë rolin dominant ta kenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ato të Unionit Evropian dhe mbi bazën e saj pastaj të bëjmë hapa konkretë, por në çdo rast duke respektuar tërësinë territoriale të njëri-tjetrit, duke respektuar sovranitetin dhe duke respektuar pavarësinë institucionale”, citohet Kuçi.  Ai thotë se bisedimet ndërshtetërore do të ndihmonin edhe serbët e Kosovës për integrim në institucionet tona. (LajmeShqip.com)