Lajme Shqip Thursday, 13 June 2013 10:33

Prishtinë – Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, ka thënë se ligji për amnisti nuk do të bëhet për pjesën veriore apo jugore, por për gjithë Kosovën.

“Në fillim kur është menduar Ligji për amnisti, në kohën kur jam bërë ministër, por edhe tash, nuk është menduar që të ketë amnisti për një grup të njerëzve, për një entitet apo për një territor, por për vepra të caktuara dhe pastaj do të jetë për gjithë territorin dhe për gjithë njerëzit që mund të preken. Edhe kësaj radhe nuk do të ketë propozime që mund të quhen të Veriut apo të Jugut ose vetëm serbë ose vetëm shqiptarë. Do të ketë barazi para ligjit edhe në kuptimin pozitiv”, ka thënë Kuçi në një intervistë për Express.

Ndërkaq, i pyetur se si do të amnistohen njerëzit që kanë qenë pjesë e strukturave të Serbisë, ai është përgjigjur:

“Unë besoj se Kodi Penal jep mundësi me i parapa vepra të caktuara dhe po ashtu jep mundësinë edhe me i amnistu. Por, gjithmonë është fjala për ata që nuk kanë bërë krime ordinere. Nuk ka pasur as iluzion se duhet të amnistohen kriminelët. Por, duhet ta pranojmë një fakt se as Serbia nuk e ka kërkuar një gjë të tillë. është fjala për kriminelët, që mund të justifikohen me vrasje dhe vepra penale të ndryshme”, ka thënë ai.

Kuçi ka thënë se nuk e di ende kohën se kur do të bëhej amnistia.

“Nuk e di këtë. Pra, është çështje e grupeve punuese. Por, prapë po e them se do të jetë parim universal. Mos të harrojmë se amnistia kërkon konsensus politikë, në rastin tonë i kërkon 2/3 e deputetëve. Do të thotë është një konsensus bukur i lartë”, tha ai.

Kuçi ka shtuar se sa u përket shërbimeve sekrete të pasluftës në Kosovë “amnistia nuk do ti prekë ata” dhe se “kjo kërkesë nuk ekziston në imagjinatën e askujt”.