Lajme Shqip Monday, 16 May 2011 15:24

Prishtinë – Stuata e përgjithshme e sigurisë në Mitrovicë gjatë dy javëve të kaluara ka qenë më e qeta në 15 muajt e fundit, vlerësoi sot Komiteti për Siguri i Kuvendit të Komunës, në takimin e rregullt.

Sipas zyrës së shtypit të komunës, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se gjatë periudhës së fundit dyjavore, nuk ka pasur ndonjë incident që do të reflektohej në situatën e përgjithshme. Ai tha se protestat që gjatë kësaj kohe janë organizuar në komunën veriore të Zubin Potokut, kundër pranisë së policisë së trafikut dhe Njësitit special të policisë së Kosovës atje, nuk kanë ndikuar në situatën e sigurisë në komunën e Mitrovicës.

“Këto protesta të pa arsyeshme kanë për qëllim pengimin  e policisë në atë pjesë të Kosovës, në mënyrë që keqbërësit t’i vazhdojnë të papenguar veprimet e tyre kriminale dhe kontrabandën e mallrave, nga të cilat ata përfitojnë shumë”, ka thënë Bala.

Edhe në këtë takim, ai përmendi shqetësimin e qytetarëve joserbë në lagjet veriore për shkak të përdorimit të targave të automjeteve që i lëshon Republika e Serbisë brenda Republikës së Kosovës dhe shqetësimin e qytetarëve të tjerë të komunave të rajonit për shkak të mosfunksionimit normal të organeve të gjyqësorit në Mitrovicë.

Për gjendje të qetë e pa probleme serioze të sigurisë në komunë, foli edhe komandanti i stacionit jugor të policisë në Mitrovicë, Avni Zabeli. Ai tha se policia ka qenë e angazhuar maksimalisht gjatë dy javëve të fundit për realizimin e planeve operative të policisë për luftimin e krimit të organizuar dhe kontrabandës. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe kohore veprat kriminale kundër pronës dhe pasurisë kanë shënuar rënie për 40 për qind, ndërkohë që numri i rasteve të veprave penale të kontrabandës është shtuar.