Lajme Shqip Tuesday, 01 May 2012 15:19

Tiranë – Ulet shkalla e papunësisë në rang vendi me 0,44%, duke rënë në 13,26%, deklaroi sot ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera.

Ministri Ksera në fjalën e tij në konferencën “Horizonte Punësimi dhe Formimi”, të zhvilluar në ambientet e Pallatit të Kongreseve, ku po zhvillohet edhe panairi punës, bëri të ditur se niveli i papunësisë ka shënuar një rënie të vogël në krahasim me një vit më parë. “Nga 13.7 për qind, që ka qënë një vit më parë, kjo shifër ka shkuar në 13.26 për qind”, tha ai. Sipas Kserës, “papunësia mbetet problem kryesisht për të rinjtë dhe për të luftuar këtë fenomen, qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë iniciativash, siç është edhe ky panair pune, që po zhvillohet këto ditë apo marrëveshja me Qeverinë Italiane për të punësuar në shtetin fqinj rreth 250 shtetas shqiptarë.

Gjithashtu, Ksera bëri të ditur se do punohet edhe për rritjen e nivelit të rrogës minimale. “Meqenëse jemi në një ditë të shënuar, siç është 1 maji, ju siguroj se do të merren masa edhe për rritjen e pagës minimale, për të cilën do të diskutohet në mënyrë të veçantë gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Punës”, tha ai. Ndërsa Nora Malaj, zv/ministre e Arsimit dhe Shkencës, i bëri apel të rinjve, të cilët mbarojnë ciklin e ulët arsimor të jenë të kujdesshëm në zgjedhjen e tyre sa i takon arsimit profesional apo të përgjithshëm.

Sipas saj, “bashkëpunimi mes qeverisë dhe shoqërisë civile, me synimin për të orientuar fëmijë dhe të rinjtë drejt një arsimi të shëndetshëm dhe profesional, është bazë për t’i ofruar vendit tonë një të ardhme europiane”. Zv/ministrja e Arsimit nënvizoi se MASH po punon intensivisht dhe është gjithnjë e gatshme për të mbështetur të rinjtë dhe fëmijët, që të arsimohen sa më profesionalisht dhe të përballen denjësisht në tregun e punës. Panairi i Punës “Horizonte punësimi dhe formimi”, që u çel dje pasdite në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, pritet të ofrojë më shumë se 1 mijë vende pune. (LajmeShqip.com)