Lajme Shqip Thursday, 14 April 2011 19:43

Ksamil – Tre mijë banorë të qytezës së Ksamilit, në jug të vendit, tashmë kanë një rrugë moderne për të udhëtuar pa probleme drejt Sarandës apo Butrintit, falë një investimi prej 650 milionë lekë të qeverisë shqiptare, akorduar dy vjet më parë.

“Ky është investimi më i rëndësishëm në jug të vendit, pasi rruga e re Kanali i Çukës-Butrint, e ndarë në tre lote, tashmë po i vjen fundi”, tha Vesel Koçia, kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për komunën e Ksamilit.

Sipas tij, rruga e re me gjerësi 8 metra, është shoqëruar me 20 mijë metër katror trotuare, si dhe ndriçim modern në zonat e banuara.

“Tashmë turistët e huaj dhe vendas do të udhëtojnë më shpejt, më të sigurtë dhe kurrë nuk do të rrezikohet jeta e drejtuesve të automjeteve”, shton Koçia.

“Ky është një nga investimet e reja të Ksamilit, pas ujësjellësit dhe qendrave të reja shëndetësore”, vijon Koçia.

Sipas tij, kjo është njëra nga ato vepra, të cilat kanë qenë premtime 4 vite më parë, por sot u rikthyen në realitet.

Koçia tha se qëndra shendetësore, ambientet e gjelbera dhe rrugët kryesore janë në prioritetin e punës së tij pa harruar furnizimin 24 orë me ujë të pijshëm të Ksamilit, një tjetër vepër kjo e arritur në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.