Lajme Shqip Wednesday, 05 February 2014 12:46

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të shqyrtojë të hënën, më 10 shkurt, raportin më të ri mbi zhvillimet 3-mujore në Kosovë të sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki-moon. Në këtë mbledhje, në emër të institucioneve të Kosovës do të marrë pjesë dhe do të flasë kryeministri Hashim Thaçi, raporton “Koha Ditore”.

Presidencën e Këshillit për këtë muaj e kryeson Lituania, ndërsa për herë të parë për raportin mbi Kosovën do të flasin anëtarët e rinj, që filluan në janar me një mandat 2-vjeçar. Anëtarët e rinj janë Lituania, Nigeria, Jordania, Çadi dhe Kili dhe katër prej tyre, përveç Kilit, janë në mesin e 106 vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Në raportin e tij më të ri për Kosovën, sekretari Ban Ki-moon i rekomandon bashkësisë ndërkombëtare që të vazhdojë të inkurajojë dhe të mbështesë aktivisht procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. “Muajt e ardhshëm duhet të jenë një periudhë, në të cilën konsolidimi i progresit të arritur në vitin 2013 duhet të bëhet bazë për trajtimin e sfidave të tjera të vështira”, -thekson sekretari Ban Ki-moon.