Lajme Shqip Thursday, 28 July 2011 08:29

Tiranë – Si kurrë më parë, Bashkia e Tiranës çeli mbrëmë dyert për qindra qytetarë të kryeqytetit, të cilët në radhë mbushën shkallët e brëndshme të godinës për të takuar kryebashkiakun e ri të qytetit, Lulzim Basha.
“Është hera e parë pas kaq vitesh që vizitoj bashkinë. Deri dje ishte e pamundur të mbaroje një punë”, tha Fiqerte Mustafaj, banuese në minibashkinë nr.3 të Tiranës. Ajo tregoi se “kam ardhur enkas për t’i uruar kryebashkiakut Basha punë të mbarë dhe për t’i bërë prezent atij problemin e pronës”.
Shyqyrie Koçiu, një tjetër qytetare që priste në radhë për të takuar kryebashkiakun, u shpreh se “jam  e pastrehë. Shpresoj që me hapjen e Bashkisë dhe mundësinë për të komunikuar drejtpërdrejt me kryebashkiakun Basha, do të gjej një zgjedhje”
Çështje të tilla si punësimi, problemet me pronën dhe strehimi, përbënin përgjithësisht shqetësimet e qytetarëve. Ata çdo ditë të premte do të kenë mundësi të bisedojnë me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili ditën e tretë të punës së tij vendosi t’ia kushtojë prezantimit me qytetarët.
Veç urimeve që mori nga tiranasit, kryebashkiaku i ri u përgëzua për detyrën edhe nga Sherif Qosja, i vetmi qytetar i Pejës, i cili kishte udhëtuar enkas nga Kosova për të takuar z. Basha. “Kisha nderin të takoja kryebashkiakun. Kam ardhur vetëm për t’i uruar punë të mbarë dhe shumë dashuri me qytetarë e Tiranës”, u shpreh ai.  
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ashtu siç premtoi gjatë fushatës së tij, hapi dyert e Bashkisë për të pritur qytetarët e Tiranës.
I shoqëruar nga dy zv/kryetarët e bashkisë, Jorida Tabaku dhe Edmond Panariti, kryebashkiaku Basha mirëpriti çdo qytetar në zyrën e tij, duke ripërsëritur premtimin se do të jetë i gatshëm të dëgjojë çdo problem dhe shqetësim të tyre.
Më 25 korrik, në ditën e betimit të tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës, z. Basha iu drejtua anëtarëve të Këshillit Bashkiak dhe qytetarëve të Tiranës, duke premtuar se do ta bëjë Tiranën një qytet më të mire.
Ai premtoi bashkëpunim me të gjithë, pavarësisht se cilës parti politike i përkasin dhe theksoi se “administrata jonë do jetë gjithëpërfshirëse, duke përfaqësuar familjen tonë të dashur, Tiranën”.