Lajme Shqip Tuesday, 29 September 2015 08:45

Raportimi i kryeministrit, Isa Mustafa për marrëveshjet e Brukselit, i cili pati të bëhej seancën e kaluar, u ndërpre nga opozita. Ndonëse u tha se ky raportim nuk do të bëhej më, këtë e ka demantuar zyra për shtyp e Kuvendit të Kosovës.

Ajo dje, përmes një njoftimi për media ka lajmëruar se Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë sot takim me kryetarët e grupeve parlamentare.

Sipas këtij njoftimi rendi i ditës për mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit parasheh edhe pikën e papërfunduar nga seanca plenare më 22 shtator 2015, që ka qenë “Raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me Marrëveshjet e arritura në Bruksel më 25 gusht 2015”.

Ndër të tjera, në këtë mbledhje, si pika tjera të rendit të ditës janë edhe pikat e papërfunduara nga seanca plenare më 17 shtator 2015, si: Interpelanca e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Letërnjoftimin, Shqyrtimi i parë i Projektligjit për treguesit gjeografikë dhe për emërtimet e origjinës, Emërimi i anëtarëve të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas, Emërimi i anëtarit të Komisionit për Kërkesa Pronësore, si dhe Formimi i Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të RTK-së nga komuniteti serb, etj.

Ndër të tjera, do të shqyrtohen edhe propozimet dhe kërkesat e shtatë deputetëve për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, Kërkesa e kryetarit të komunës së Prishtinës për rinovimin e Sheshit “Adem Jashari”, si dhe Çështja e financimit të Radiotelevizionit të Kosovës.