Lajme Shqip Wednesday, 19 December 2012 07:20

Prishtinë – Agjencia Kadastrale e Kosovës akuzohet për keqpërdorime të shumta. Madje kryeshefi i kësaj agjencie akuzohet nga disa punëtorë të larguar së fundi nga puna për përfitime milionëshe. Kryeshefi Murat Meha i mohon akuzat, por denoncuesit pretendojnë se kanë fakte të mjaftueshme që Mehën, sipas tyre, duhet ta dërgojnë në burg. Rasti është denoncuar edhe në organet e drejtësisë, raporton KTV.

Për korrupsion, zhvatje dhe keqpërdorime të tenderëve akuzohet Agjencia Kadastrale e Kosovës.

Dy persona të larguar së fundmi nga kjo agjenci akuzojnë personalisht kryeshefin ekzekutiv, Murat Meha, për përfitime milionëshe.

Ish-zyrtari i lartë ligjor në këtë agjenci, Ali Sefaj, thotë të jetë në njohuri për keqpërdorimet e Mehës.

Sefaj përmend disa tenderë, për të cilët thotë se ka fakte të mjaftueshme të cilat pretendon se vërtetojnë keqpërdorimet.

Megjithatë të pakuptimta dhe jorelevante akuzat i cilëson vetë kryeshefi Meha, derisa nuk frikësohet të përballet me organet e drejtësisë.

Meha konsideron se agjencia po bën punë të rëndësishme, gjithnjë duke respektuar ligjin.

Por Ali Sefaj nuk është i vetmi që pretendon se ka dëshmi për keqpërdorimet e Mehës.

Dukagjin Venhari deri vonë ka punuar si përkthyes në AKK dhe thotë të jetë sulmuar fizikisht nga kryeshefi Meha, të cilin e quan okupues të agjencisë.

Sipas Venharit, Meha kishte urdhëruar përkthimin e disa materialeve, me gjithë faktin se ato ishin përkthyer një herë në vitin 2006.

E këtë e vërteton edhe ky dokument i nënshkruar nga vetë kryeshefi Meha.

Si Venhari, ashtu edhe Ali Sefaj u janë drejtuar organeve të drejtësisë, për të denoncuar menaxhmentin, përkatësisht kryeshefin Meha.(K.N/LajmeShqip.com)