Lajme Shqip Friday, 17 February 2012 08:00

Tiranë- Kryeprokurorja Ina Rama shprehu dje nevojën e një bashkëpunimi më të ngushtë ndërmjet prokurorive të Apelit dhe prokurorive të rretheve, gjatë analizës se punës së prokurorive të Apelit për vitin e kaluar.

Zyra e shtypit në Prokurorinë e Përgjithshme bëri të ditur se kryeprokurorja Ina Rama, pasi përgëzoi prokurorët e Apelit për rezultatet e arritura gjatë viti 2011, theksoi rëndësinë e një bashkëpunimi më të ngushtë me prokuroritë e rretheve gjyqësore çfarë do të sillte rezultate më të mira profesionale.

Gjithashtu kryeprokurorja Rama e vuri theksin në rritjen e cilësisë së rekurseve që prokuroritë e Apelit bëjnë për në Gjykatën e Lartë.

Në Prokurorinë e Përgjithshme u zhvillua sot analiza e punës një vjeçare (janar 2011- dhjetor 2011), të Prokurorive të Apelit të Rretheve Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Korçë, Gjirokastër dhe të Prokurorisë së Apelit të Krimeve të Rënda.

Në analizë, drejtuesit e Prokurorive të Apelit raportuan për punën e kryer nga prokurorët e Apelit, duke evidentuar njëkohësisht dhe problemet të cilat hasen në kryerjen e detyrës. Në bazë të tabelave të paraqitura vërehet se Prokuroritë e Apelit kanë zhvilluar një volum të konsiderueshëm pune, duke shënuar arritje në rezultatet e tyre krahasuar dhe me shifrat e një viti më parë. 

Kështu, gjatë vitit 2011 janë gjykuar nga Gjykatat e Apeleve Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Korçë, Gjirokastër dhe Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda, rreth 5260 çështje. Këto çështje janë gjykuar mbi bazën e ankimimit të palëve, të Prokurorëve të Shkallës së Parë apo të të pandehurve.

Nga këto gjykime vërehet se Gjykata ka përkrahur rreth 25% të çështjeve të gjykuara në Apel mbi bazën e ankimeve të prokurorëve. Ndërsa ka lënë në fuqi rreth 78% të vendimeve gjyqësore që ka patur ankim nga të pandehurit, duke përkrahur qëndrimin e prokurorit.

Në analizë u ngriten si probleme një sërë çështjesh si prishja dhe kthimi për rigjykim në shkallë të Parë për shkelje proceduriale të kryera nga gjykatat e shkallëve të para, sidomos në rastet e gjykimit të shkurtuar të kryer në Gjykatat e shkallës së parë, lirimet nga gjykata para kohe të të pandehurve, duke i vënë të pandehurit në provë, etj.

Ndërsa u vu në dukje se numri i rekurseve të bëra nga Prokuroritë e Apeleve të pranuara nga Gjykata e Lartë ka qenë i vogël. Ndër problematikat që u analizuan, ishte evidentimi se megjithë numrin e madh të çështjeve për lëndët narkotike, shumica e të pandehurve rezultojnë përdorues dhe me doza të vogla. Mbi këtë bazë, u propozua si emergjente ndryshimi i Kodit Penal përsa i përket dispozitave që lidhen me mbajtjen, shpërndarjen dhe tregëtimin e lëndëve narkotike. (LajmeShqip.com)