Lajme Shqip Wednesday, 21 November 2012 08:00

TIRANE – Presidenti i Republikes Bujar Nishani ka njohur partitë parlamentare me vendimin për të emëruar Prokurorin e ri të përgjithshëm në 22 nëntor.

Pas konsultimeve me krerët e grupeve parlamentare me kreun e shtetit, Presidenca zbardhi detajet e takimeve ku theksohet qëndrimi i Presidenti gjatë takimeve të kryera paraditen e sotme. 

“Presidenti i Republikës sqaroi, se në respekt të Kushtetutës së vendit dhe ligjit organik të Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm i Republikës ka një mandat 5-vjeçar. Mandati përbën periudhën kohore gjatë së cilës i emëruari ushtron funksionin e tij. Në referim të të gjitha praktikave gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, fillimi i mandatit i referohet ditës së emërimit apo betimit (nëse kërkohet betimi) dhe përfundon në të njëjtën ditë dhe muaj të vitit të fundit të afatit të përcaktuar në ligj”,- thuhet në njoftimin e Presidencës. 

Muaji nëntor duket se do të jetë muaji që do të përcaktojë emrin e kryeprokurorit të ri, i cili do të zëvendësojë Ina Ramën në këtë post. Presidenti Nishani nisi sot një tur konsultimesh me përfaqësues të partive parlamentare për emrin e kryeprokurorit të ri. 

Gjatë konsultave që ka zhvilluar me krerët e grupeve parlamentare dhe kryetarët e partive politike kryesore në vend, kreu i shteti ka diskutuar me ta kriteret që duhet të përmbushe kreu i ri i organit të akuzës por jo emra te përvecshëm. 

RUCI LETËR NISHANIT: PO SHKARKONI INA RAMËN KUNDRA LIGJIT
Ora 20:00 Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Rucit i bën apel presidentit Bujar Nishani që të mos shkelë Kushtetutën me “konsultimet” e ndërmarra për zgjedhjet e kryeprokurorit të ri të vendit. 

“Cdo veprim për largimin nga detyra para përfundimit të mandatit të kryeprokurores Ina Rama, do ishte i kundërligjshëm. Ky do ishte de facto një shkarkim! Por, për një hap të tillë ju dhe mazhoranca duhet të faktoni shkeljet në Kushtetutë”, thuhet në letrën e Rucit. 

“Asnjë lloj doktrine Kushtetuese nuk e njeh apriori fuqinë prapavepruese të një amendamenti kushtetues, përvecse ku vetë legjislatori kushtetues e parashikon atë. Kuvendi kishte detyrën e nxjerrjes së tranzitore pas ndryshimeve Kushtetuese më 2008, por ende nuk e ka bërë deri më sot. Norma Kushtetuese që kufizoi mandatin e Kryeprokurorit të Përgjithshëm në 5 vjet, i fillon efektet jo në datën e zgjedhjes së Prokurorit aktual, (më datë 22.11.2007), por nga dita e hyrjes së normës së re kushtetuese në fuqi, pra më 23 Maj 2013”,- thuhet ndër të tejra në letrën e Rucit.

NISHANI KONSULTOHET ME PARTITË, ATO SHFAQIN QËNDRIME KUNDËR
Muaji nëntor duket se do të jetë muaji që do të përcaktojë emrin e kryeprokurorit të ri, i cili do të zëvendësojë Ina Ramën në këtë post. Presidenti Nishani nisi sot një tur konsultimesh me përfaqësues të partive parlamentare për emrin e kryeprokurorit të ri. Ky veprim i presidentit u ka dhënë fund polemikave për përfundimin e mandatit të kryeprokurores Ina Rama.

Pas takimeve në Presidencë me kreun e shtetit palët politike shfaqën qëndrimet e kundërta për këtë çështje, të parashtruara dhe më parë, dhe që lidhen me afatin e qëndrimit në detyrë të kreut të organit të akuzës. 

Maxhoranca i qëndron mendimit se mandati i Ina Ramës përfundon në 22 nëntor 2012, pikërisht ditën kur ajo u zgjodh nga Kuvendi më 22 nëntor 2007, ndërsa opozita e majtë shprehet për qëndrimin e saj në detyrë deri më 23 maj 2013, kur është dhe afati i përcaktuar në ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, ku përcaktohet mandati pesëvjeçar i kryeprokurorit. 

Në takimin e sotëm me Kreun e shtetit, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi propozoi që kandidati për këtë post të jetë i fushës së drejtësisë, të ketë integritet moral dhe profesional. 

Kryetari i grupit socialist, Gramoz Ruçi përfundoi takimin me Presidentin Nishani duke u shprehur se për PS-në mandati i Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama përfundon në 23 maj 2013 dhe jo më 22 nëntor 2012, siç pretendon maxhoranca qeverisëse dhe vetë Kreu i shtetit, tha ai. 

Lëvizja Socialiste për Integrim përmes kreut të grupit parlamentar, Lefter Koka i propozoi Presidentit të përcaktojë kriteret që duhet të gëzojë kandidatura për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, që kjo figurë të ketë integritet moral, profesional, të mos ketë implikime në të shkuarën dhe të ketë eksperiencë në drejtësi.

NISHANI TAKON IDRIZIN: DUAM PROKUROR JO PARTIAK
Ora 15:30 Presidenti Bujar Nishani përfundoi takimin edhe me Kryetarin e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Z. Shpëtim Idrizi, duke mbyllur kështu axhendën e takimeve me krerët kryesore të grupeve parlamentare. Rreth orës 15:00 Idrizi iu drejtua Presidencës ku u takua me kreun e shtetit, për të shprehur propozimin e partisë PDIU për cështjen e kreut të ri të organit të akuzës. 

Pas takimit Idrizi deklaroi se Prokurori i ri duhet të ketë integritet te lartë moral e profesional. PDIU kërkon një kryeprokuror të ri që nuk bën pjesë në asnjë forcë politike, ndërkohë që kërkoi që ai të marrë përgjegjësitë e duhuara.

PERFUNDON TAKIMI I NISHANIT ME DULEN E MEDIUN
Ora 14:00
– Presidenti Nishani përfundoi takimet me pjesën më të madhe të krerëve të grupeve parlamentare, përveç kreut të PDIU-së Shpëtim Idrizi, që pritet të mbërrijë në Presidencë në orën 15:00. Rreth orës 14:00 përfunduan edhe takimet me kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule, si dhe me përfaqësuesin e Republikanëve, Fatmir Mediu.

Pas takimit, kryetari i PBDNJ-së theksoi rëndësinë që klasa politike të maturohet dhe të gjejë konsensus edhe për çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm.

LSI: VENDOSIN FORUMET NËSE MANDATI MBARON NË MAJ APO NË NËNTOR
Ora: 12:40 -Edhe takimi i Presidentit me kreun e grupit parlamentar të LSI-së, Lefter Koka ka zgjatur rreth 40 minuta. Pasi theksoi rëndësinë që kandidatura e re të ketë integritet moral dhe profesional, Koka komentoi edhe çështjen e përfundimit të mandatit të kryeprokurores aktuale, duke nënvizuar se vendosim forumet nëse mandati mbaron në muajin maj apo në nëntor. 

LEFTER KOKA NE PRESIDENCE
Ora 12:00- Sapo Gramoz Ruçi ka dalë nga selia e Presdiencës, kreu i shtetit priti kryetarin e grupit parlamentar të LSI-së Lefter Koka. Pak minuta më parë, LSI-ja bëri të ditur se në këtë takim, zoti Koka do nënvizonte rëndësinë e kritereve që duhet të ketë kryeprokurori i ri. Sipas LSI-së, kandidatura e re duhet të ketë integritet moral dhe profesional, eksperiencë në drejtësi dhe të mos ketë prapavijë politike dhe as implikime në të shkuarën.

RUÇI: PO SHKELET LIGJI, MANDATI I INA RAMËS MBARON NË MAJ
Ora 12:00 –
Pas takimit me Presidentin Nishani, kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, dha një deklaratë të shkurtër për mediat, ku bëri të ditur qëndrimin e socialistëve për zgjidhjen e kryeprokurorit të ri. Sipas Ruçit, emërimi i prokurorit të ri në nëntor, siç kërkon mazhoranca, përbën shkelje të ligjit dhe Kushtetutës, në bazë të së cilës mandati i kryeprokurores aktuale mbaron në muajin maj të vitit 2013-të.

“Respektuam ftesën e presidentit për kryeprokurorin e përgjithshëm. Dhe ajo që na ndan është pikëpamja që ne kemi lidhur me kushtetueshmërinë e mandatit të prokurores aktuale. Lidhur me zbatueshmërinë e amendimit të ndryshimit të Kushtetutës që ka të bëjë me mandatin e kufizuar të prokurorit të përgjithshëm. PS ka pikëpamjen se mandati i prokurores nuk mbaron në 22 nëntor, por në 23 maj të 2013-ës, pikërisht në datën që është futur në fuqi ndryshimi kushtetues që kufizon mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm”,- u shpreh Ruçi. Sipas tij, edhe presidenti ka pikëpamjen se mandati i kryeprokurorit mbaron më 22 nëntor.

RUÇI MBËRRIN NË PRESIDENCË
Ora 11:00 – Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, ka mbërritur në selinë e Presidencës në orën 11:00, në përputhje me axhendën e kreut të shtetit.

PËRFUNDON TAKIMI, PATOZI: ME RENDESI KRITERET, JO EMRI 
Ora 10:45 – Ka zgjatur rreth 41 minuta takimi konsultativ mes Presidentit Bujar Nishani dhe kryetarit të grupit kuvendor demokrat, Astrit Patozi, në selinë e Presidencës. Sipas Patozit, demokratët nuk i kanë propozuar kreut të shtetit ndonjë emër konkret, për postin e kryeprokurorit të ri të vendit, pasi sipas tyre, me rëndësi është që kryeprokurori i ri të ketë integritet moral dhe përvojë në sistemin e drejtësisë. Patozi nënvizoi se për demokratët është thelbësore që kreu i organit të akuzës të mos ketë implikime në të shkuarën dhe të emërohet brenda nëntorit.
Ndërkohë takimi i ardhshëm i presidentit është me kreun e grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, i parashikuar për në orën 11:00.
NISHANI NIS TAKIMET, PATOZI NË PRESIDENCË
Ora 10:00- Ashtu siç e parashikon axhenda e kryetarit të shtetit, Presidenti Nishani e ka nisur turin e konsultimeve për kryeprokurorin e ri të Republikës, me kreun e grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i cili ka mbërritur i përpiktë në Presidencë rreth orës 10:00.

AXHENDA E TAKIMEVE
Ora: 07:10 –
Zyra e shtypit e Presidencës zbardhi sot axhendën e takimeve të kryetarit të shtetit, në kuadër të turit të konsultimeve që pritet të zhvillojë sot për emrin e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës.

“Presidenti Nishani, ditën e martë, dt. 20 nëntor 2012, do të organizojë takime të veçanta konsultuese me përfaqësuesit e partive politike parlamentare, të cilat synojnë të evidentojnë vlerat më të mira që duhet të përfaqësojë figura e ardhshme e prokurorit të përgjithshëm, si një pozicion i rëndësishëm në sistemin e drejtësisë në Shqipëri”,- thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ora 10:00 – Takim me Kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Z. Astrit Patozi
Ora 11:00 – Takim me Kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Z. Gramoz Ruçi
Ora 12:00 – Takim me Kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Z. Lefter Koka
Ora 13:00 – Takim me Kryetarin e Partisë Republikane, Z. Fatmir Mediu
Ora 14:00 – Takim me Kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Z. Vangjel Dule
Ora 15:00 – Takim me Kryetarin e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Z. Shpëtim Idrizi

Takimet me përfaqësuesit partiak do të zhvillohen në mjediset e Presidencës, dhe vijnë vetëm pak ditë pasi kreu i shtetit u konsultua me partitë parlamentare për datën e zgjedhjeve të ardhshme.(B.W/LajmeShqip.com))