Lajme Shqip Thursday, 05 April 2012 12:50

Shkup – Fjalimi i kryeparlamentares shqiptare Jozefina Topalli në Parlamentin e Maqedonisë ka nxitur dhe debate në mediat maqedonase.

Pikërisht pjesa e fjalimit ku ajo flet për të dhënat historike se kush ka çliruar Shkupin dhe pikërisht përmend shqiptarët, ka nxitur kritika në adresë të kryeparlamentares Topalli.

“Këtë vit ne shqiptarët festojmë 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, festojmë 100-vjetorin e flamurit tonë. Në këtë përvjetor kujtojmë me respekt dhe nderim kontributin që dha popullsia e kësaj treve në çlirimin nga sundimi osman. Ishte pikërisht këtu kur në shkurt 1844, 10. 000 kryengritës nën drejtimin e Dervish Carës, çliruan Shkupin dhe paraqitën kërkesën e parë për autonomi. Që nga ajo kohë Shkupi, Manastiri dhe Dibra u bënë nga qendrat kryesore të lëvizjes shqiptare për çlirim kombëtar”, kjo ishte pjesa e fjalimit që ka shkaktuar debate edhe në qarqet akademike dhe historianët maqedonas.

Instituti Maqedonas i Historisë në Shkup ka mohuar faktet e hedhura nga ana e zonjës Topalli, duke shtuar se pikërisht Dervish Cara ka qenë një shërbëtor i turqve, që është organizator i një kryengritjeje kundër rekrutimit të myslimanëve në ushtrinë osmane.

“Këto janë vetëm keqpërdorime nacional -romantike të historisë për qëllime politike”, kanë theksuar nga Instituti i Historisë në Shkup.

Nga ana tjetër, pranë Institutit për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup theksuan se fjalimi i zonjës Topalli mbështetet në fakte të shumta historike dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë keqpërdorim apo manipulim të historisë. (INA)