Lajme Shqip Thursday, 22 March 2012 12:22

Tiranë-  Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, uroi sot të gjithë besimtarët baktashinj për Ditën e Sulltan Novruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu.

Kryeparlamentarja Topalli vizitoi sot Selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Tiranë me rastin e festës së Sulltan Novruzit, ku u takua me kryegjyshin Haxhi Baba Edmond Brahimaj.

Kryetarja e Kuvendit tha se “mua më duket se zoti ka bërë që kjo ditë e bukur e pranverës, e festës së Sulltan Novruzit, të koincidojë me festën e demokracisë së shqiptarëve”.

 “Ne të gjithë kemi rast sot për të festuar e reflektuar e t’i themi çdo shqiptari faleminderit per atë që keni bërë gjatë këtyre 20 viteve. Liria vërtet ka funksionuar në lirinë e të gjitha besimeve shqiptare, në rritjen e ekonomisë dhe në një jetë më të mirë të shqiptarëve”, u shpreh kryeparlamentarja Topalli.

Selinë e Bektashinjve e vizitoi sot edhe zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, i cili tha se “kjo ditë shërben për të qenë më të mirë, më kontribues dhe socialë, për të dëgjuar më shumë atë që predikon zoti, si dhe mësimet e shenjta”.