Lajme Shqip Tuesday, 23 August 2011 12:17

Prishtinë – Nesër në Kosovë qëndron Kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Kosor. Ajo do të takohet me zyrtarë të lartë shtetërorë, me komandantin e KFOR-it, Erhard Buhler dhe do të hapë forumin kroato-kosovar të biznesit.

“Qeveria kroate do të vazhdojë të nxisë politikë që është në marrëveshje me aleatët tanë në NATO dhe BE, e ajo ka të bëjë me mbështetjen e paqes dhe të stabilitetit në Kosovë, respektimin e të drejtave të pakicave dhe respektimin e integritetit territorial të Kosovës”, thuhet në kumtesë.

Po ashtu, komandanti i KFOR-it, Gjeneral Erhard Bühler, nesër do ta mirëpresë në Shtabin Qendror të tij në Prishtinë kryeministren Kosor.

Gjatë takimit do të diskutohen disa çështje të interesit të përbashkët. Gjenerali Erhard Bühler do ta informojë kyreministren mbi gjendjen e tanishme të sigurisë në Kosovë në përgjithësi, ngjarjet e fundit në veri të Kosovës dhe mbi misionin e KFOR-it.

Koamandanti i KFOR-it do të theksojë rolin e rëndësishëm të oficerëve dhe ushtarëve kroatë në mision.

Prezenca kroate në Kosovë për momentin numëron rreth 20 ushtarë, të cilët janë në funksione të rëndësishme në Shtabin Qendror të KFOR-it në Prishtinë.

Kosor do të marrë pjesë edhe në hapjen e Forumit Kroato-Kosovar të biznesit. Bizenset kroate kanë treguar interesim të shtuar për tregun e Kosovës, posaqërisht pas masave të ndërmarra të reciprocitetit me Serbinë. Shkëmbimet tregtare në mes të Kosovës dhe Kroacisë kanë qenë në nivele shumë më të ulëta se me Serbinë. Në vitin e kaluar, eksportet nga Kroacia në Kosovë ishin në vlerë rreth 60 milionë euro dhe eksportet nga Kosova në Kroaci vetëm 2,5 milion euro. (LajmeShqip.com)